Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi sot në Konferencën e Kryetarëve ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për fondet IPARD. Ai theksoi se ngritja e një komisioni të tillë është një e drejtë kushtetuese e një të katërtës së deputetëve, duke shtuar se Kuvendi nuk mund ta pengojë këtë proces.
“Ne nuk dublojmë punën e Prokurorisë. Fakti që Prokuroria ka nisur hetim penal tregon se ekziston një problematikë. Këtë e ka sqaruar edhe Gjykata Kushtetuese: Prokuroria ka detyrat e saj, ndërsa Kuvendi ushtron kontroll administrativ. Pretendimet tuaja janë të pabaza”, tha Bardhi.
Sipas tij, nëse mazhoranca ka kundërshtime për objektin e hetimit, mund të sjellë një formulim alternativ, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë shqetësim konkret.
“Për sa kohë nuk ka shqetësim për objektin, duhet të miratojmë me konsensus përbërjen e komisionit dhe të caktojmë datën e mbledhjes së tij. Këtë na e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese”, theksoi ai.
Bardhi akuzoi mazhorancën se po pengon kontrollin parlamentar dhe po “zhbën parlamentarizmin”.
“Kemi vetëm një muaj nga mbyllja e sesionit dhe ju nuk keni pranuar asnjë mekanizëm kontrolli nga opozita. Kjo është shkelje e Kushtetutës dhe një formë ‘dhune’ ndaj opozitës”, deklaroi kreu i grupit të PD-së.
© Panorama.al












