
Maxhoranca kaloi e vetme në Komisionin e Ekonomisë kandidaturën e Bujar Leskajt për vendin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nga ana e kryetarit Edmond Spaho u argumentua se kandidatura e Leskajt përmbush të gjitha kriteret që kërkon ligji dhe në ndryshim nga kandidatura e mëparshme e Sali Shehut, “edhe kriterin e meritës”. Por, përpara se të arrihej në votimin e kandidatit, opozita dhe maxhoranca kaluan rreth dy orë debate të forta, ku deputetët e Partisë Socialiste e konsideruan kandidaturën e Leskajt si një figurë të politizuar. Për pothuajse 40 minuta Bujar Leskaj ka paraqitur para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë vizionin e tij për atë që do të bëjë KLSH nëse ai do të marrë miratimin e shumicës. Një bashkëpunim më i ngushtë me Prokurorinë për të mos lënë zvarrë çështjet, përmirësimi i praktikave të kontrollit dhe trajnimit të audituesve, si dhe konsultimet me qarqet akademike dhe ekspertët janë vlerësuar si pikat më të rëndësishme që do të kihen parasysh në punën e KLSH-së, në rast të votimit të kandidaturës. Në fund Leskaj iu përgjigj pyetjeve, të cilat këtë herë erdhën nga opozita, në ndryshim me diskutimin e datës 1 nëntor, kur u diskutua kandidatura e Sali Shehut. Maxhoranca është treguar më e tërhequr në këtë pjesë, sjellje kjo që u kthye në pikë ironie për deputetët e PS-së.
Diskutimi
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, shprehu qëndrimin kundër të Grupit Parlamentar të PS-së duke përmendur këtu faktin që maxhoranca ndjek dy standarde në vlerësimin e të njëjtave situata. Sipas saj, Bujar Leskaj është një figurë politike e PD-së në strukturat më të larta të saj, dhe ky është edhe problemi. “Për sa unë di, më korrigjoni nëse jam gabim, zoti Leskaj vazhdon të jetë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe në strukturat më të larta të saj”, tha Kodheli. Por kjo ka gjetur menjëherë kundërshtimin e maxhorancës, ku deputeti Flamur Noka shpjegoi se prej katër muajsh Leskaj ka dhënë dorëheqjen nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike dhe nga anëtarësia. Të njëjtën gjë theksoi edhe kandidati për kreun e KLSH-së, Leskaj, duke argumentuar edhe arsyet pse është larguar nga PD-ja. “Mbas mbledhjes së muajit gusht unë kam dhënë dorëheqjen nga Këshilli Kombëtar i PD-së dhe anëtarësimi në PD. Arsyet kanë qenë dy: e para, kisha nevojë të përqendrohesha në punët e mia profesionale dhe akademike; e dyta, 2012-a është viti i 100-vjetorit të pavarësisë, së bashku me të tjerë intelektualë vlonjatë kemi vendosur t’ia kushtojmë vëmendjen organizimit të disa aktiviteteve me rastin e këtij përvjetori”, tha Leskaj.
Debatet ne komision
Andis Harasani: Duke u nisur edhe nga eksperienca me ish-kolegun tonë, zotin Shehu, pse mendoni është ky ndryshim i sjelljes së Partisë Demokratike ndaj jush dhe ndaj kolegut Shehu? A ju bën përshtypje që kur ishte kolegu Shehu u shpërndanë pyetje të shkuara për kolegët e PD-së, ndërsa për ju s’po bëhet asnjë pyetje?
Bujar Leskaj: Mendoj që pyetja për ndryshimin e qëndrimit dhe se pse nuk po bëhen pyetje, nuk më përket mua. Unë personalisht kam një respekt të padiskutueshëm për Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, por kam respekt dhe për kolegun Shehu. Nuk dëshiroj dhe nuk mendoj se është etike të flas për këtë.
Arben Malaj: Meqenëse gjatë prezantimit tuaj e ritheksuat edhe me mburrje përkatësinë tuaj partiake, a mendon se në këtë rast cenohet parimi pozitiv në ngritjen e institucioneve të pavarura, që u japin më shumë kredibilitet dhe efektivitet këtyre institucioneve?
Bujar Leskaj: Si? Edhe një herë, se po shkruaj ngadalë.
Arben Malaj: Unë besova se shpejtësia për të lexuar përputhej me shpejtësinë për të shkruar.
Bujar Leskaj: Unë nuk shquhem as për të shkruar shpejt, as për të lexuar shpejt. Për të vepruar shpejt, po.
Mimi Kodheli: Për sa unë di, më korrigjoni nëse jam gabim, zoti Leskaj vazhdon të jetë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe në strukturat më të larta të saj. Më lejoni të ripërsëris qëndrimin tonë si opozitë për kandidaturën e zotit Leskaj. Ky është një qëndrim politik i PS-së dhe votën tonë politike do ta shprehim në seancën e ardhshme.
Flamur Noka: Kam katër muaj që kam dorëheqjen e zotit Leskaj të depozituar pranë PD. Aktualisht zoti Leskaj nuk është as anëtar i PD-së, as në ndonjë strukturë.
Bujar Leskaj: Në muajin gusht, mbas mbledhjes së muajit gusht, kam dhënë dorëheqjen nga Këshilli Kombëtar i PD-së dhe anëtarësimi në PD. Arsyet kanë qenë dy: e para, kisha nevojë të përqendrohesha në punët e mia profesionale dhe akademike; e dyta, 2012-a është viti i 100-vjetorit të pavarësisë. Së bashku me të tjerë intelektualë vlonjatë, do të jemi të impenjuar për të organizuar disa aktivitete për këtë përvjetor.
Andis Harasani: Nuk do të doja të shtoja asgjë më shumë sesa ajo që shprehu zonja Kodheli. Një nga diskutimet më të mira që kam dëgjuar që nga zgjedhjet e 2009-s në këtë komision, një nga fjalët më të mira ka qenë fjala e kolegut dhe mikut tim Cara. Ka qenë një ftesë që i bëri kandidatit të kaluar për KLSH-në, z. Shehu, që të jepte dorëheqjen dhe të vazhdonte të kontribuonte në Partinë Demokratike, pasi kjo parti ka nevojë për të. Dua të di, nuk keni nevojë për zotin Leskaj?
Igli Cara: Jam i zhgënjyer nga kolegët e opozitës që u morën me këto. Nuk mendoj që diversitetet që mendoni të bëni me kolegët e PD-së do t’ju shërbejnë. Aq më tepër që, zoti Harasani, kjo nuk do t’ju shërbejë që të ribëheni anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.
Erjon Braçe: Ai institucion (KLSH), nuk meriton një njeri politik në krye të tij. Ky është kontesti ynë.
Flamur Noka: Të nderuar kolegë, mos u kapni pas bishtit këtu. Në këtë vend demokracia funksionon mbi bazë të Kushtetutës. Mos u kapni pas bishtit se pas bishtit do të ndjeni dhe erë të keqe, dhe ne nuk kemi ç’t’ju bëjmë.
Erjon Braçe: Flamur, kjo e fundit nuk i shkon etikës së kësaj tavoline, dhe as etikës së kandidatit Doktor Leskaj. Ajo që ngrita unë si problem është politizimi i kandidatit. Gjithë kandidaturat që i keni sjellë kanë qenë politike.
Arben Malaj: O Flamur, ka shkuar seanca më e gjatë dhe po e zgjasim kot. Tani, para bishtit apo pas bishtit, nuk ka shumë rëndësi vendi, puna është kujt i mbetet bishti në dorë.
Votimi i Leskajt, test për numrat e maxhorancës
Parlamenti do të votojë sot Bujar Leskajn për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Votimi i dekretit të Presidentit do të hasë votën kundër të Partisë Socialiste, që sipas burimeve, mësohet të ketë mobilizuar të gjithë deputetët që të jenë të pranishëm në seancën e së enjtes për të votuar kundër. Ndërkohë që vota për dekretin e Topit pritet të jetë një test për numrat e maxhorancës. Kandidatura e Leskajt pritet të shoqërohet me rrjedhje votash nga disa deputetë të Partisë Demokratike, të cilët kanë shprehur kundërshtinë gjatë mbledhjes së Grupit të PD-së. Edhe pse në votimet e dekreteve të kaluara të Presidentit Grupi i PD është treguar kompakt në votimet politike, deputetët e opozitës shpresojnë që të arrijnë një shumicë të ngushtë kundër kandidaturës së Leskajt, çka duket e vështirë për t’u realizuar.
Parlamenti pritet të përfshihet sot në debate lidhur me projektligjin e privatizimit të kompanisë “Albpetrol”, nismë që u kundërshtua fort në komisione nga opozita. Të majtët caktuan në mbledhjen e Grupit deputetin Arben Ahmetaj për të bërë oponencë ndaj shitjes së Albpetrolit. Gjithashtu dhe projektligji “Për noterinë” pritet të shoqërohet me debate në Parlament, pasi për socialistët nisma e dixhitalizimit të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe përfshirjen e noterëve online është një projekt i pazbatueshme. Debate pritet të ketë dhe për projektligjin “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”. Gjithashtu dhe për ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Rendi i ditës në total përfshin gjashtë nisma ligjore, të cilat në fund të seancës do t’i nënshtrohen votimit. Kjo është seanca e parafundit që do të zhvillojë Parlamenti i Shqipërisë për vitin 2011. Në kalendarin e punimeve të Kuvendit, mbledhja e fundit është parashikuar në datën 22 dhjetor, ku pritet të votohet pas dy vitesh posti vakant i Avokatit të Popullit.
votat
Kandidatura e Bujar Leskajt ka ngjallur debate ditën e hënën në mbledhjen e Grupit të demokratëve. Deputetët e PD-së, Jemin Gjana dhe Sherefedin Shehu, kanë kundërshtuar vendimin e Grupit duke shprehur votën kundër Leskajt. Gjatë diskutimeve në Grup, deputetët Dashnor Sula, Rajmonda Bulku dhe Ismail Hoxha kanë deklaruar votën pro dekretit të Presidentit.
Axhenda e Parlamentit
1. Projektligj “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”.
2. Projektligj “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë ‘Albpetrol’ sh.a. Patos”.
3. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7829, datë 1.6.1994 ‘Për noterinë’, të ndryshuar”.
4. Projektligj “Për një shtesë në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008 ‘Për miratimin e niveleve të tarifës doganore’, të ndryshuar”.
5. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 ‘Për arsimin e lartë në RSH’, të ndryshuar”.
6. Dekreti i Bujar Leskajt për kryetar të KLSH-së.
7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60 minuta).
NERTILA MAHO
© Panorama.al











