
Mbrojtësi kuqezi, Mërgim Mavraj, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të qëndrojë te Grojter Fyrthi edhe në Bundesligën 2 të Gjermanisë. 26-vjeçari e ka vlerësuar të vështirë situatën në të cilën ndodhet, por thotë se është i lumtur te skuadra e Grojter Fyrthit, e cila edicionin e ardhshëm do të garojë në Bundesligën 2, pasi ka humbur të gjitha gjasat për shpëtim. Fyrthi është në vendin e fundit (18) me 21 pikë. “Është një situatë e vështirë, por nuk do të lejoj që të më shqetësojë. Gjithmonë kam thënë se jam i lidhur me klubin, për shkak se ndihem shumë mirë. Pyetjet për të ardhmen time duhet t’i bëhen klubit dhe jo mua. Deri më tani nuk më është ofruar rinovimi i kontratës”, ka thënë Mavraj të hënën, në një intervistë dhënë “Bundesliga.de”. Mbrojtësi i Shqipërisë me skuadrën gjermane të Grojter Fyrthit ka kontratë deri në qershor të vitit 2014. Mavraj është edhe kapiten i kësaj skuadre. Me gjithë rezultatet e dobëta të ekipit të tij, Mavraj u vlerësua lart nga ekspertët në Gjermani. Madje, u vlerësua si një nga mbrojtësit më të mirë në Bundesligën 1. Mavraj këtë edicion me fanellën e Fyrthit ka zhvilluar 30 ndeshje, ndërsa për Kombëtaren e Shqipërisë ka zhvilluar nëntë paraqitje.











