Matura, ja sa pyetje do të kenë testet e 4 provimeve

May 14, 2011 | 10:10

Përcaktohet numri i pyetjeve që do të kenë maturantët në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje.Po kështu edhe afatet e ngujimit të hartuesve të tezave në AVA. Në udhëzimin e fundit, Ministria e Arsimit përcakton të gjitha rregullat që do të zbatohen për administrimin e 4 provimeve. Sipas udhëzimit, secili prej tyre do të nisë në orën 10:00 në ambientet e caktuara më parë. Nxënësit duhet të paraqiten në këto ambiente 1 orë me herët. “ Testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa janë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje janë me përgjigje alternative dhe vlerësohen me 10 pikë dhe 10 pyetje janë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. “Provimet e detyruara zgjasin 2 orë e 30 minuta secila. Provimet me zgjedhje zgjasin 4 orë”, saktësohet në të. Për maturantët/kandidatët që do të japin provim të Maturës Shtetërore njërën nga lëndët me zgjedhje, koha është 2 orë. Këta maturantë/kandidatë do të fillojnë provimin në orën 11:00 dhe do ta zhvillojnë atë në mjedise të veçanta. Ky kusht vjen si rrjedhojë e rregullores së Maturës 2011, sipas së cilës maturantët që kanë mbyllur shkollën e mesme më parë kanë të drejtë të mbartin rezultatet e lëndëve me zgjedhje, në rast se i kanë dhënë ato. “ Përzgjedhja e testit për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2011 të kryhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit dhe Shkencës, të cilët emërohen përzgjedhës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AKP. Pas përzgjedhjes së testit, të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave nga AKP”, thuhet në udhëzim. Periudhat kohore të ekspozimit potencial të sekretit (Koeps) ose siç quhet ndryshe “ngujimi” i hartuesve në AVA do të jetë 1 javë përpara secilit provim. Vlerësimi i testeve do të realizohet në 6 qendra, 2 prej së cilave në Tiranë, ndërsa të tjerat në rrethe. “Pas çdo provimi të Maturës Shtetërore 2011, në secilën nga 6 qendrat e vlerësimit të funksionojë në mënyrë permanente një grup i administrimit dhe i monitorimit të testeve, me 3 persona”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, transporti i testeve nga Tirana për në secilën nga qendrat e vlerësimit Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë dhe anasjelltas, të bëhet nën masa të rrepta sigurie. I gjithë procesi i Maturës do të mbyllet brenda datës 30 qershor. Në këtë datë, maturantët do t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje. Dy provimet e detyruara do të jepen përkatësisht më 1 dhe 15 qershor. Nga sa bën me dije MASH-i, formulari A2, ku zgjidhen 10 preferencat për në shkollat e larta, plotësohet deri në 30 korrik. “Kjo masë është ndërmarrë, në mënyrë që kandidatët për në shkollat e larta të bëjnë një llogaritje paraprake të pikëve, përpara se të aplikojnë për në universitet. Vetëm duke ditur notat e 4 provimeve, ata do të kenë një ide të qartë se sa pikë grumbullojnë dhe ku kanë shanse për të fituar”, sqarojnë specialistët e Ministrisë.

40 mije
maturantë do të japin këtë vit provimet me detyrim dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore. Në rast se nuk marrin njërin nga provimet, ata nuk do të pajisen me dëftesën e maturës. Maturantët e mëparshëm që kanë dhënë lëndët me zgjedhje, mund të mbartin rezultatet.

Formulari A2

Sipas MASH, formularin A2 e plotësojnë vetëm nxënësit që kanë kaluar në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje. “Çdo maturant mbetës (me notë të shkallëzuar më të ulët se 4.51 ose të rrumbullakosur 5, qoftë edhe në një nga provimet), ka të drejtën e riprovimit të lëndës në vitet e ardhshme shkollore”, ka bërë me dije MASH. Sipas tij, vetëm pasi të jetë vlerësuar kalues, maturanti pajiset me diplomë dhe mund të konkurrojë për programet e studimit të arsimit të lartë.

Konsultimet

Për lëndët e provimeve të detyruara konsultimet do të zhvillohen në bazë klase, ndërsa lëndët me zgjedhje, mbi bazën e grupit të formuar nga drejtoria e shkollës. Një javë përpara secilit testim do të zhvillohen mesatarisht 5 orë konsultime në letërsi, 8 orë konsultime në matematikë dhe 8 orë konsultime në lëndët me zgjedhje. Këto konsultime janë mjaft të vlefshme për maturantët për të gjitha paqartësitë apo pikëpyetjet që ata kanë përpara provimeve.

Përgjigjet

Testet kodifikohen dhe shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 10 ditë pas çdo provimi të maturës. Maturantët duhet të paraqiten në shkollë një orë përpara fillimit të provimit. Kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së caktuar, nuk duhet të dalin nga klasa. Maturantët nuk hyjnë në provim nëse nuk janë në listat e AVA-s, apo nëse nuk kanë mjet identifikimi. Ata gjithashtu nuk do të lejohen të nisin testimin, në rast se kanë telefon celularë me vete, apo çdo mjet tjetër identifikimi.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura