Matura, 10 rregullat për të mos u përjashtuar nga provimi

May 30, 2011 | 10:55

Pasnesër, mbi rreth 34 mijë maturantë hyjnë në provën e parë të Maturës Shtetërore. Ata do t’i nënshtrohen provimit të detyrueshëm të letërsisë paraditen e 1 qershorit.Ndërsa janë në fazën përfundimtare të përgatitjes, specialistët e MASH u tërheqin edhe njëherë vëmendjen për rregullat që duhet të zbatojnë ditën e provimit. Janë 10 rregulla që përcaktojnë qartë rastet kur një maturant mund të përjashtohet nga provimi dhe të mos i njihen rezultatet. Maturantët duhet të paraqiten në shkollë një orë përpara fillimit të provimit. Në këtë kohë kryhet identifikimi i nxënësit, hyrja në mjediset e provimit (klasa), ulja e tyre në vende si dhe leximi i rregullave për kandidatët. Procesi i identifikimit të çdo maturanti gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit kryhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij, ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës dhe administratorët e provimit. Pas fillimit të zhvillimit të provimit, nuk lejohet që drejtori i shkollës të hyjë në mjediset ku zhvillohet provimi. Hyrja dhe ndarja e çdo maturanti nëpër klasa, bëhet duke ndjekur rigorozisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga AVA. Ndërkohë që çdo maturant në ditën e provimit duhet të ketë me vete për identifikim certifikatën personale me fotografi ose letërnjoftimin. Sipas rregullores, lejohet hyrja në provim vetëm e nxënësit të shpallur në listë. Ndërsa sistemimi i çdo kandidati në mjediset/sallat e provimit bëhet një nga një, sipas rendit të hyrjes se tyre. Madje, ndalohet ndërrimi i vendeve. Në ato shkolla apo mjedise ku provimi administrohet vetëm në një klasë, sistemimi i nxënësve bëhet sipas rendit alfabetik.
“Në rast se një nxënës thyen rregulloren, ai jo vetëm që do të përjashtohet nga provimi i letërsisë, por nuk do të ketë mundësi të japë as provimet e tjera”, thonë specialistët e MASH. Por maturantët kanë edhe të drejtat e tyre. “Në rast se maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit nga ana e nxënësve të tjerë, ai ka të drejtë të raportojë për parregullsi tek administratori i provimit”, thuhet në rregullore. Maturantët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk duhet të dalin nga mjedisi ku zhvillohet provimi para dy orësh nga fillimi i tij, por të grumbullohen në një sallë të përcaktuar më parë.

Tezat

Do të hartohen 7 lloje të ndryshme testesh, përshtatur drejtimit të shkollës. Secila prej tyre ka fond pyetjesh të posaçëm. Provimi i Letërsisë do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Do të përmbajë 25 pyetje gjithsej, nga të cilat 13 me alternativa dhe 13 me zhvillim. Lloji i parë i pyetjeve do të vlerësohet me 1 pikë për secilën. Duke iu përgjigjur saktë, nxënësit mund të grumbullojnë në total 13 pikë. Pyetjet me zhvillim do të kenë peshë tri herë më të lartë.

40 mije
kandidatë konkurrojnë këtë vit për në shkollat e larta. Në rast se nuk marrin njërin nga provimet, ata nuk do të pajisen me Dëftesën e Maturës. Maturantët e mëparshëm që kanë dhënë lëndët me zgjedhje, mund të mbartin rezultatet.

34 mije
maturantë hyjnë në provën e parë të Maturës Shtetërore. Ata mbarojnë këtë vit gjimnazin dhe duhet të japin detyrimisht 4 provime për të marrë certifikatën e Maturës. Në të kundërt, nuk konkurrojnë dot për në universitet.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura