TIRANE – Shoferi i një subjekti privat postar është grabitur mbrëmjen e së hënës në Tiranë nga dy persona me maska dhe armë. Autorët kanë arritur t’i vjedhin drejtuesit të furgonit të postës rreth 200 mijë lekë dhe më pas janë larguar me një mjet pa targa, që ende nuk është identifikuar. Ngjarja ndodhi në fshatin Yrshek të Tiranës, kur Gentian Myrtaj po udhëtonte në drejtim të Yzberishtit me furgonin tip “Ford”, me targë TR 8113 N, në pronësi të një kompanie private që shpërndan postën. Në një rrugicë të errët, një makinë i ka prerë rrugën dhe dy persona të maskuar kanë zbritur duke i drejtuar armët. Pasi e kanë detyruar që të zbresë në tokë duke e kërcënuar, i kanë grabitur shumën e parave prej 200 mijë lekësh që ai kishte me vete. Më pas ata janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes. I dëmtuari Gentian Myrtaj ka telefonuar në sallën operative të Policisë së Tiranës dhe ka deklaruar se në Yrshek, dy persona me armë dhe maska i kanë vjedhur paratë që po transportonte. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forcat e policisë së Komisariatit Nr. 6 dhe oficerë të vjedhjeve me dhunë dhe armë, të cilët i morën kallëzim të dëmtuarit dhe nisën menjëherë hetimet për ngjarjen. Burime nga grupi hetimor thanë se ende nuk është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin udhëtonin autorët e grabitjes, po ashtu as personat që kanë realizuar ngjarjen.











