Artan Kristo, hoxha i akuzuar në vitin 2009 për “thirrje dhe propagandë për kryerjen e veprave terroriste”, nuk do të rikthehet në qeli. Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e bërë pak ditë më parë nga ana e Prokurorisë së Durrësit për caktimin e një mase sigurie “arrest me burg” ndaj Kristos. Lajmi u bë i ditur nga burime pranë Gjykatës së Lartë, sipas të cilave, dosja në ngarkim të Kristos në këtë gjykatë është mbyllur me “mospranim rekursi”. Në këtë formë, një proces gjyqësor i Kristos në Gjykatën e Durrësit do të vijojë teksa ai ndodhet në gjendje të lirë. Në gjykatën e qytetit bregdetar, prej afro 8 muajsh Artan Kristo po gjykohet për veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”. Prokuroria ka ngritur këtë akuzë ndaj tij pas dyshimeve se ai ka përfituar para duke mashtruar persona të ndryshëm. Sipas Prokurorisë, mashtrimi i Kristos qëndron në faktin se ai ka përfituar duke pretenduar se po ofronte shërbime me anë të mjekësisë popullore (alternative). Akuza për këtë aktivitet të Kristos u ngrit pasi aktivisti fetar u vendos nën akuzë një vit më parë për thirrje që nxisin veprime të dhunshme.
KERKESA
Më 23 nëntor të këtij viti, në Gjykatën e Lartë u regjistrua një rekurs i Prokurorisë së Rrethit Durrës në lidhje me një vendim të Apelit Durrës, ku si person nën hetim ishte Artan Kristo. Objekti i kërkesës së Prokurorisë së Durrësit ishte “caktimi i masës së sigurimit personal ‘arrest me burg’” ndaj Kristos. Por kjo kërkesë nuk është marrë në shqyrtim nga ndonjë kolegj i Gjykatës së Lartë për shkak se ajo është “mbyllur” që në dhomën e këshillimit të kësaj gjykate. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se më 1 dhjetor është vendosur mospranimi i këtij rekursi.
KRISTO
Artan Kristo u vu në qendër të vëmendjes pas arrestimit të tij më 13 tetor 2009 me akuzën e “nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës me qëllim kryerjen e veprave me qëllime terroriste”. Sipas Prokurorisë, ai kishte publikuar në një faqe interneti disa thirrje publike me qëllime terroriste. Gjatë gjithë gjykimit ai nuk e pranoi asnjëherë akuzën, duke pohuar se thirrjet e tij ishin keqinterpretuar. Në faqen elektronike Kristo shkruante nën emrin Muhamed Abdullai, një emër që sipas Prokurorisë, ishte përdorur si pseudonim nga Artan Kristo gjatë ligjëratave të tij. I gjykuar për këtë vepër penale ai u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me 5 vjet heqje lirie. Në gushtin e këtij viti, Apeli i Durrësit e vlerësoi si të pabazuar në ligj akuzën ndaj Kristos, duke i sjellë atij lirinë. Emri i tij është lakuar edhe më parë nga organet e hetimit, pasi ai ka qenë një nga të shoqëruarit si i dyshuar për vrasjen e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, Sali Tivari, në vitin 2003. Kristo është shoqëruar në polici në lidhje me këtë ngjarje, mirëpo hetimet e kryera nuk kanë gjetur ndonjë provë bindëse për ta mbajtur në burg të dyshuarin. ar.ba
© Panorama.al











