Specialistët e AVA-s kanë hartuar një listë të bollshme me këshillat se si të përzgjidhen saktë 10 preferencat e maturantëve për degët universitare. Mbi bazën e tyre ata futen në garë. “Para se të përzgjidhni preferencat, duhet për të tëra programet e studimit të llogarisni pikët tuaja dhe t’i krahasoni me pikët e fituesit të fundit për maturat e mëparshme. Nëse i afroheni dhe jeni më sipër se pikët e fituesit të fundit, përzgjdheni atë program studimi, ndryshe ulni shanset tuaja që të shpalleni fitues”, thuhet në guidën e karrierës. Sipas specialistëve, përzgjedhja e preferencave është momenti më i rëndësishëm i procesit të shprehjes së vullnetit nga kandidati maturant, i cili ka dy hallka. Hallka e parë ka të bëjë me përcaktimin e jo më shumë se 10 programeve të studimit preferencialë (pra maksimumi 10, por edhe më pak).Hallka e dytë lidhet me mënyrën se si renditen këto preferenca. Pra, maturanti kandidat duhet të listojë programet e studimit që jo vetëm i preferon dhe në bazë të pikëve të grumbulluara ka mundësi të shpallet fitues, por edhe ka mundësi t’i ndjekë (Shembull: Maturanti që banon në Lezhë e ka të vështirë të ndjekë studimet në Sarandë). Renditja optimale e preferencave të shprehura duke nisur nga preferenca më e lartë e më tej. Për të realizuar këtë të fundit veprohet: I pari vendoset programi i studimit që maturanti preferon më shumë ose ai për të cilën ka marrë pjesë në konkurs. I dyti, ai që preferon më pak sipas radhës, nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë e kështu me radhë.
RENDITJA E PREFERENCAVE
Preferenca më e lartë është Preferenca 1. Mbi bazën e preferencave të shpallura dhe renditjes së tyre do të shpallen fituesit për secilin program studimi. Kontrollohet fillimisht Preferenca 1, nëse maturanti është fitues, shpallet për regjistrim në Universitetin përkatës. Nëse nuk është fitues në Preferencën 1, kontrollohet Preferenca 2 e kështu me radhë deri në Preferencën 10. Maturanti shpallet fitues në Preferencën më të lartë ku ka grumbulluar pikët e nevojshme. Fitues ai është vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë në grupin e preferencave ku ka grumbulluar pikët e mjaftueshme. E thënë me fjalë të tjera, edhe sikur të ketë pikët e mjaftueshme dhe renditje të kënaqshme për preferenca të tjera, të cilat i ka renditur më poshtë, fitues do të shpallet në preferencës që është më lart të tjerave, në të cilat plotëson pikët e mjaftueshme. Procesi i llogaritjeve është plotësisht transparent. Për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara. Në këtë listë evidentohen edhe fituesit. Një kandidat, në listën e një dege, mund ta shohë veten në fillimet e listës, por nuk është fitues në këtë program studimi. Kjo për arsye se ky program studimi është preferencë e ulët e tij, p.sh. e pesta. Ai e sheh veten fitues në preferencën e tij më të lartë, p.sh. në Preferencën 2. Pasi të keni vendosur renditjen e programeve të studimit sipas preferencave, nga 1 në 10, vetëm atëherë mund të jeni gati për të plotësuar preferencat dhe renditjen e tyre te Formulari A2.
48 MIJE MATURANTË
Kanë dhënë lëndët me zgjedhje katër ditë më parë. Ata do të hyjnë në garë për t’u pranuar në shkollat e larta publike
Në dispozicion të nxënësve, 290 programe studimi
Në pjesën e djathtë lart te Formulari A2 ndodhen 10 kuadrate me numrat rendorë përkatës nga 1 deri në 10. Këta numra rendorë përfaqësojnë renditjen e preferencave. Gjatë plotësimit të këtyre kuadrateve, duhet shumë kujdes. Për plotësimin e secilës preferencë janë në dispozicion 3 (tre) kuti. Në çdo kuti shënohet një shifër e qartë dhe pa korrigjime. Numri i formuar përfaqëson kodin e programit të studimit që keni zgjedhur për atë preferencë. P.sh.; në kutinë me Nr. 1 është shkruar shifra 013. Kjo do të thotë që programi i studimit i kandidatit me preferencë të parë (më të lartën) është Inxhinieri Matematike dhe Informatike në Universitetin e Tiranës. Pasi plotësohen kutitë e të dhjeta preferencave me shifra, do të plotësojmë kutitë para emërtimeve të programeve të studimit me shifrën e renditjes përkatëse të preferencës. Shifra duhet të jetë e shkruar qartë, me stilolaps me ngjyrë të zezë. Nëse në preferencën 1 (në krah të djathtë të Nr. 1) kemi shkruar 013, atëherë do të zhvendosemi poshtë në listën e programeve të studimit dhe gjejmë programin e studimit me numër 013. Në kutizën para këtij programi studimi do të shënojmë numrin 1. Pra, në listën e programeve të studimit numri në kutinë përpara tregon renditjen e preferencës dhe në numrat e preferencave në pjesën e sipërme të formularit tregohet numri i programit të studimit. Kujdes! Përputhja duhet të jetë e plotë. Në listën e programeve të studimit në pjesën e poshtme të formularit nuk mund të ketë më shumë se dhjetë kuti të plotësuara me shifrat nga 1 deri në 10. Kuptohet që të gjithë kutitë e tjera do të jenë bosh. Vazhdojmë me preferencat e tjera. Në figurë jepet shembulli i mbushjes së preferencave 1, 2 dhe 3, që janë përkatësisht 013 –Inxhinieri Matematike dhe Informatike në Universitetin e Tiranës, 003 –Gjuhë Letërsi në Universitetin e Tiranës, 001 –Histori në Universitetin e Tiranës, e kështu me radhë mbushen të dhjetë preferencat. Është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e Preferencave, ndryshe Formulari quhet i pavlefshëm
30 KORRIK
është afati i fundit i dorëzimit të Formularit A2 në shkolla. Plotësimi i tij do të nisë në të gjithë vendin në datën 22 korrik, pas shpalljes së rezultateve të lëndëve me zgjedhje.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











