MASH i heq fondet liceut, drejtuesit: Bie cilësia

Jan 17, 2012 | 11:49
Liceu artistik “Jakov Xoxa”

FIER – MASH i heq statusin nacional shkollës artistike “Jakov Xoxa” në Fier, duke e kaluar atë në varësi të Drejtorisë rajonale të Arsimit. Edhe pse kjo shkollë është trajtuar që prej vitit 2002 me statusin e shkollës kombëtare, këtë vit buxheti i saj nuk do të jetë më i varur nga MASH-i. Sipas drejtuesve të liceut, heqja e buxhetit do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësi. Sipas tyre, megjithëse buxheti ku parashikoheshin fondet operative ishte modest, ata arrinin të mirëmbanin ambientet e shkollës, si edhe të instrumenteve muzikore. Heqjen e buxhetit ata e shikojnë si një cungim që i bëhet artit. Drejtori i shkollës, Vaska Sopiqoti, u shpreh se vendimi i MASH-it mund të cenojë cilësinë e shkollës. Një dokumenti i Ministrisë së Financave, që mban datën 7 shtator 2002, citon se shkolla artistike “Jakov Xoxa” është e varësisë nacionale dhe si e tillë financohet nga Ministria e Arsimit për të gjitha shpenzimet e saj. Por tashmë MASH e ka shfuqizuar këtë vendim. Drejtues të liceut u shprehën se në këtë shkollë kanë studiuar nxënës që sot kanë famë kombëtare e më gjerë. “Shkolla jonë është një ndër shkollat më me emër në vend. Çdo vit ka nxjerrë talente që i kanë dhënë emër muzikës e artit në përgjithësi”, u shpreh Sopiqoti. Sipas tij, kjo shkollë është edhe një nga mbështetësit kryesorë të artit dhe aktiviteteve kulturore në qytetin e Fierit. Kështu, koncerte, ekspozita dhe e pazëvendësueshmja, orkestra filarmonike janë pjesë e kësaj shkolle, që i jep jetë artit të këtij qyteti, me të cilin identifikohet në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Në këtë shkollë mësojnë më shumë se 800 nxënës.                                                                                        m.r

© Panorama.al

Te lidhura