Kriza ekonomike ka tensionuar shtete dhe familje të tëra në mbarë botën (edhe në vendet e zhvilluara), që kanë nisur të mbledhin rezerva ushqimore si në kohët e Depresionit, por të paktën për një grup njerëzish ka sjellë një lajm të mirë.
Qindra emigrantë shqiptarë mund të lirohen nga burgjet në Greqi dhe Itali, pas propozimit të legjislacioneve të reja mbi “boshatisjen e burgjeve”, të cilat sa më plot të jenë, aq më shumë i kushtojnë buxhetit të shtetit. Greqia dhe Italia po diskutojnë legjislacionet e reja, të cilat duhet të miratohen në parlamentet përkatëse e më pas të nënshkruhen edhe nga presidentët, ku një pjesë e mirë e të burgosurve që janë dënuar për krime të vogla dhe që nuk konsiderohen rrezik për shoqërinë, do të lirohen nga burgu.
PROJEKTLIGJI NË GREQI
Greqia është treguar më e ashpër për personat që kanë kryer akte terrorizmi apo kanë dëmtuar ekonominë e vendit, si të dënuarit për evazion fiskal, korrupsion, abuzim me paratë e shtetit etj. Ata nuk janë të përfshirë në falje, edhe pse mund të jenë dënuar me pak vite burgim. Kështu, sipas gazetës greke “To Vima”, Ministria e Drejtësisë do të lirojë të dënuarit me deri në 10 vjet burg. Arsyes së krizës ekonomike dhe shkurtimit të fondeve edhe për burgjet i shtohet shkelja e të drejtave të njeriut në këto institucione, për të cilat Greqia është përmendur shpesh në raportet e OKB-së. Numri aktual i të burgosurve në Greqi është 12200 persona, me mbi-kapacitet prej 2500 personash. Nga gjithë të dënuarit, 7 000 janë të huaj dhe mes tyre një pjesë e mirë shqiptarë. Prej të dënuarve, ata që kanë kryer një të tretën e dënimit nga dënimi deri në 3 vjet lirohen, po ashtu edhe ata që kanë kryer një të pestën e dënimit nga dënimi 5 vjet dhe ata që kanë kryer një të tretën e dënimit, nëse janë dënuar deri në dhjetë vjet.
PROJEKTLIGJI NË ITALI
Ndërsa Italia nuk është treguar kaq tolerante, duke kërkuar lirimin e personave që mbahen nëpër burgje për vetëm tri apo katër ditë dhe që në të gjithë Italinë janë rreth 21 mijë persona në vit. Ndërsa për pjesën tjetër kërkon arrest shtëpie, nëse përmbushen kushtet. Këshilli i Ministrave në Itali e aprovoi paketën e “boshatisjes së burgjeve” të kërkuar nga ministrja e Drejtësisë, Paola Severino. Pas këtij miratimi, kërkesa duhet të aprovohet në Parlament dhe më pas nga Presidenti. Përfitojnë menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit rreth 3300 persona, të cilëve u kanë mbetur edhe 18 muaj burg për të kryer. Ndërsa pjesa tjetër që përfiton, janë ata që janë dënuar deri në 4 vjet, për krime jo të rënda, për të cilët kërkohet arrest shtëpie. Ministrja e re është shprehur në favor të amnistisë. Një pjesë e konsiderueshme e të burgosurve në Itali janë emigrantë, e shumë prej tyre shqiptarë. Ministrja është treguar e kujdesshme të përzgjedhë vetëm ata që marrin dënime minimale, që nuk konsiderohen persona të rrezikshëm.
NË ITALI
Arrest shtëpie
© Panorama.al











