
KORÇE – Kalon në Gjykatën e Korçës dosja e 84-vjeçarit Gaqo Dumka, i akuzuar për vrasjen çnjerëzore të Liljana Arapit. Pas hedhjes së shortit, gjyqtari Gjergji Koço është ai i cili do të merret me gjykimin e kësaj çështjeje, ndërsa ende nuk është përcaktuar data kur do të zhvillohet seanca e parë. Fillimisht mësohet se gjyqtari do të njihet me dosjen për të nisur edhe më tej zhvillimin e seancave gjyqësore, ku palët do të sjellin versionet respektive. I moshuari, i cili akuzohet për krimin makabër ndaj 42-vjeçares më 12 gusht të këtij viti, vijon të gjendet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, pasi policia e identifikoi si autorin e vetëm për vrasjen e Arapit. Edhe pse në seancën për dhënien e masës së sigurimit personal, Dumka nuk e pranoi krimin, sipas policisë ai mori

përsipër autorësinë e krimit menjëherë sapo u gjet pjesa e flokëve të gruas, pas rreth 5 ditë kërkimesh. Pak ditë më vonë, policia e quajti të mbyllur dosjen e skenave horror të këtij krimi, duke bërë që familjarët të mos kenë mundësinë e gjetjes së kokës së plotë të Liljana Arapit. Këta të fundit madje konfirmojnë se në asnjë moment nuk u është krijuar mundësia qoftë edhe për të parë nëse ajo pjesë flokësh e gjetur është pikërisht e vajzës së tyre ose jo. Ngjarja e padëgjuar më parë ndodhi më 12 gusht të këtij viti, kur u gjetën dhe pjesë të trupit të gruas 42-vjeçare, të futura në thasë të ndryshëm plastmasi. Autori i masakrimit të saj, pas copëtimit me mjete të mprehta të viktimës e kishte hedhur trupin e saj në vendin e grumbullimit të mbeturinave. I vetmi person i akuzuar për këtë ngjarje është Gaqo Dumka. Në ditët e para pas arrestimit ai deklaroi se e kishin vrarë disa të tjerë Lilianën. Por sipas policisë, gjetja e një pjese koke detyroi të moshuarin të jepte dëshminë e re, Sipas së cilës, ai e kishte kryer vrasjen nga xhelozia, pasi Liljana dilte me burra të tjerë, duke shpenzuar paratë dhe besimin e tij. dh.d











