Masakrimi i Liljanës, kyçet “shtëpia horror” në Korçë

Sep 26, 2011 | 11:15
Gaqo Dumka, i arrestuar nga policia per vrasjen e 42-vjeçares (majtas) viktima Liljana Arapi

Banesa ku për tetë vite jetoi 84-vjeçari Gaqo Dumka, i cili masakroi me sëpatë Liljana Arapin, tashmë perceptohet si një “shtëpi horror” për korçarët. Askush nuk është ofruar ta marrë me qira, ndonëse edhe e zonja e shtëpisë duket se ka vendosur ta lyejë e ta pastrojë, por të mos lejojë banimin e personave të panjohur në të. E vetmja që është futur në banesë, është vajza e 84-vjeçarit, e cila pak ditë më parë mori rrobat dhe sendet personale të të moshuarit. Në një tricikël, ajo ngarkoi ato pak sende e tesha që ndodheshin në dhomat e shtëpisë dhe më tej është larguar në heshtje pa thënë nëse ato do t’i çonte në fshatin e lindjes së të moshuarit, do t’i hidhte diku, apo nëse ndonjë rrobë do t’ia çonte të atit në dhomat e qelisë. Shtëpia ku i moshuari jetonte me qira bashkë me 42-vjeçaren që e masakroi duke i prerë kokën dhe të gjithë trupin, ngjan e braktisur. Në të nuk ka asnjë lëvizje, ndërsa njerëzit komentojnë ngjarjen e tmerrshme sa herë kalojnë afër saj.
Pasi vajza e 84-vjeçarit hoqi të gjitha sendet që i përkisnin të atit, e zonja e shtëpisë është kujdesur për ta larë e lyer brenda dhe jashtë dhe më pas është larguar, duke u pohuar edhe fqinjëve se nuk kishte ndër mend të lejonte persona të tjerë që të banojnë atje. Ajo e ka konsideruar një tmerr krimin në njërën nga dhomat e shtëpisë në pronësi të saj. “Nuk besoj se do kem guximin për ta lëshuar më me qira pas asaj që ndodhi brenda në këtë shtëpi. Nuk mund t’i besojmë askujt dhe aq më tepër që tani të gjithë e dinë se kjo është shtëpia ku u vra Liljana. Askush nuk do merrte kurajën për të jetuar këtu, sepse është e frikshme”, u shpreh gruaja, teksa e ka mbyllur derën e shtëpisë së tmerrit. I moshuari, i cili

Shtëpia ku banonte i moshuari Gaqo Dumka

akuzohet për masakrimin e Liljana Arapit, vijon të gjendet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, pasi policia e arrestoi atë si autorin e vetëm për vrasjen e 42-vjeçares. Edhe pse në seancën për dhënien e masës së sigurimit personal Dumka nuk e pranoi krimin, sipas Policisë ai mori përsipër autorësinë e saj menjëherë sapo u gjet pjesa e flokëve të gruas.
Ngjarja që shokoi mbarë opinionin, ndodhi mesnatën e 11 gushtit kur policia e Korçës u sinjalizua për gjetjen e një trupi me kokë, këmbë e duar të prera në fushën e mbetjeve urbane në fshatin Ravonik. Për ditë të tëra kërkimet e saj ishin intensive, duke bërë fillimisht identifikimin e viktimës dhe më pas kapja e autorit. Pavarësisht marrjes në pyetje, 84-vjeçari Dumka në asnjë moment nuk pranoi të tregojë vendin se ku kishte hedhur kokën e viktimës së tij, 42-vjeçares Liljana Arapi. Ceremonia mortore e saj u krye nga familjarët në qytetin e Bilishtit, por ata u detyruan ta varrosin vajzën e tyre pa kokë.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura