
Policia e Kavajës ka mbyllur hetimet për dosjen e Kreshnik Selmanit, i cili vrau veten pasi më parë qëlloi për vdekje të fejuarën e tij shtatzënë, Marsida Hoxha. Pas tri ditë hetimesh, ekspertët e hetimit konkluduan se vrasja e 22-vjeçares është kryer me paramendim nga 27-vjeçari Kreshnik Selmani. Ata ia kanë kaluar tashmë dosjen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë. Grupi hetimor ka arritur në këtë konkluzion pas dëshmive të marra nga të afërm të viktimave, duke nxjerrë më pas si motiv paraprak depresionin e të riut për shkak të konflikteve mes çiftit. Në dosjen dërguar Prokurorisë, citohet se 27-vjeçari Selmani ka udhëtuar nga qyteti i Durrësit për në Rrogozhinë me armë në bagazhin e automjetit të tij, një natë para krimit. Ai ka shkuar me paramendimin për ta vrarë, nëse situata nuk do të shkonte në favorin e tij. Ndërkaq, në dosjen dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, grupi hetimor, i cili ka ndjekur nga afër çështjen, ka konfirmuar se 22-vjeçarja Marsida Hoxha ka marrë dy plumba arme zjarri tip kallashnikov, një në afërsi të zemrës, e tjetri në kokë. Më pas citohet se viktima e dytë e masakrës Kreshnik Selmani, është vetëqëlluar me një plumb në kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. “Në rastin e Selmanit kemi të bëjmë me vetëvrasje të shkaktuar nga gjendja depresive e tij, pasi ka vrarë të fejuarën”, citohet në dosje. Ndërsa vrasja e 22- vjeçares konsiderohet si e paramenduar për shkak të kërcënimeve të herëpashershme, por edhe dhunës së ushtruar ndaj saj. Mësohet se janë marrë në pyetje 30 persona, të cilët janë të afërm të vajzës e të djalit, si dhe disa persona të tjerë të cilët ishin në dijeni të problemeve që kishte çifti. Burime të Policisë bënë të ditur se dëshmia e dhënë nga nëna e Marsida Hoxhës ka qenë dhe çelësi për të zbardhur këtë ngjarje. Ajo ka qenë e vetmja që ishte dijeni të të gjitha debateve, personi i fundit që i ka parë gjallë, si dhe e para që i ka gjetur të vrarë në dhomën e pritjes. Për këtë arsye, Fiqirete Hoxha është thërritur mbi pesë herë për të dëshmuar para grupit hetimor. Ajo ka mohuar se masakra në familjen e saj të kishte ndodhur për shkak se dhëndëri nuk donte fëmijën e tij. Ajo ka hedhur dyshime se 27-vjeçari merrte substanca narkotike, ndaj për këtë shkak ai i kërkonte të fejuarës së tij që t’i gjente para. Madje, edhe ditën e krimit, dhëndri i kishte kërkuar asaj 50 euro, por ajo nuk kishte pasur mundësi ta ndihmonte, pasi kishte ardhur nga Italia me vetëm 30 euro. Ajo ka dëshmuar se e bija ishte dhunuar herë pas here, por me gjithë këtë gjendje, çifti ishte pajtuar.
RROGOZHINE/ LEONIDHA MUSAJ











