
BERAT – Gjykata e Beratit shtyn vendimin për çështjen e Luan Marës, derisa prokurori i çështjes të njihet me dosjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila anuloi dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Dje rinisi seanca gjyqësore ndaj shtetasit Luan Mara, që 5 vjet më parë është dënuar me burg të përjetshëm nga të tria shkallët e gjyqësorit, për vrasjen e vëllait, kunatës shtatzënë dhe djalit të tyre. Trupi gjykues që përbëhej nga treshja Erjol Roshi, Margarita Buhali dhe Pëllumb Zaimi, pasi janë njohur me dosjen e Gjykatës Kushtetuese, kanë shtyrë për një seancë tjetër gjyqësore vendimin e saj. Sipas avokatit mbrojtës Alban Brengasi, i akuzuari duhet të lihet i lirë si i pafajshëm. Seanca e radhës është caktuar më datë 3 qershor. Vrasja e katërfishtë ndodhi në shkurt të vitit 2006 në Kozarë të Beratit. Gjykata Kushtetuese vlerësoi disa javë më parë se në çështjen në shqyrtim vërehen dyshime serioze për kushtet dhe rrethanat në të cilat i pandehuri ka pranuar fajësinë. Gjithashtu, në vendimin e Kushtetueses, e cila e riktheu për rigjykim dosjen në Berat, thuhej se është ushtruar dhunë për të marrë pohimin e të pandehurit. Dyshohet se ai është detyruar të dëshmojë kundër vetvetes. Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri për rikthimin e çështjes për gjykim themeli, duke argumentuar se mënyra e marrjes se provave ka rëndësi thelbësore për zhvillimin e drejtë të procesit penal. d.xh











