Gjykata Kushtetuese anulon dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Luan Marës, pasi gjen shkelje në dënimin e të akuzuarit si autor i ngjarjes së njohur si masakra e Kozares, një nga krimet më të rënda të ndodhura në Shqipëri në 10-vjeçarin e fundit.Më 3 maj 2011, Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin me të cilin rrëzon dënimet e dhëna ndaj Luan Marës, duke nisur që nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli e deri te vendimi i dhënë në Gjykatën e Lartë për “burgim të përjetshëm”, me akuzën e vrasjes në rrethana të cilësuara. Krimi ndodhi më 10 shkurt 2006, kur Shpëtim Mara, me gruan shtatzënë në kohën kur ndodhi ngjarja dhe djalin 2-vjeçar, u gjetën të vdekur në banesën e tyre, në fshatin Kozare, pasi ishin vrarë gjatë natës. Gjykata Kushtetuese ka shprehur kritika të ashpra në vendimin e saj ndaj hetimeve të prokurorisë, por edhe ndaj vendimeve të gjykatave në adresë të Luan Marës.
Ai u arrestua në vitin 2006 me akuzën e rëndë për vrasjen e vëllait të tij Shpëtimit, kunatës Flories dhe djalit të tyre 2-vjeçar, Artiol Mara. Por, ndërsa akuza për vrasjen e trefishtë rëndoi në maksimum pozitat penale të Luan Marës, motivi i krimit që u pretendua nga policia e më pas nga prokuroria, ishte akoma më i rëndë. Sipas akuzës së bërë asokohe, Luan Mara kishte vrarë vëllain, gruan e tij dhe fëmijën për të fshehur një marrëdhënie me kunatën.
Drejtësi për masakrën

Gjykata Kushtetuese ka theksuar se dy kanë qenë argumentet me të cilat ajo ka rrëzuar dënimin me burg të përjetshëm ndaj Luan Marës. Së pari, hetimi është kryer me shkelje të rënda deri edhe të parimeve kushtetuese dhe, së dyti, shkeljet e procesit të hetimit janë përsëritur edhe në gjykim. I tillë është rasti që përmend

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj kur thekson se pas ndalimit për ngjarjen, Luan Mara është marrë në pyetje në polici pa praninë e avokatit. Në këto rrethana atij i janë marrë deklarime mbi fajësinë e tij pa një mbrojtës ligjor dhe sipas Kushtetueses, vetë dokumentet që ndodhen në dosje provojnë se deklarimet e dhëna nga Luan Mara ishin artikuluar në kushtet e dhunës fizike të ushtruar ndaj tij, me sa duket për “të pranuar” krimin e rëndë që mbeti pa autor për muaj e muaj me radhë. Më 3 mars 2009, Gjykata e Apelit Vlorë kishte lënë në fuqi dënimin ndaj Luan Marës dhe më pas, i njëjti dënim ishte lënë në fuqi në Gjykatën e Lartë më 21 shtator 2010. Pikërisht këto tri vendime janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka urdhëruar “dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Beratit”. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është dhënë mbi bazën e ankesës së bërë nga avokati i Luan Marës, i cili nuk ka qenë dakord me dënimin e dhënë ndaj tij nga tri gjykatat e mëparshme. Trupi gjykues që dënoi me burgim të përjetshëm Luan Marën në Gjykatën e Beratit më 24 maj 2008, përbëhej nga Nazmi Troka si kryetar dhe nga anëtarët Bernina Kondi dhe Agron Vavla. Në seancën e shpalljes së vendimit në Gjykatën e Beratit, avokati i Luan Marës kërkoi pafajësi për klientin e tij duke mos e pranuar akuzën e ngritur nga prokuroria për vrasje në rrethana të cilësuara.
Gjykata: Provat, të dyshimta
Gjykata Kushtetuese shprehet se ka dyshime serioze për ligjshmërinë e marrjes në pyetje të Luan Marës, ndërsa gjykatat e juridiksionit të zakonshëm nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe të domosdoshëm për të kërkuar dhe sqaruar deri në fund të gjitha rrethanat e çështjes, për të garantuar një proces të rregullt ligjor. Kushtetuesja vlerëson se vërehen dyshime serioze për kushtet dhe rrethanat në të cilat Luan Mara ka pohuar fajësinë e tij për veprën për të cilën akuzohet.
Argumentet e Kushtetueses
1. Është provuar në rrugë gjyqësore se i pandehuri Luan Mara është marrë në pyetje në mjediset policore pa praninë e mbrojtësit ligjor. Ky i fundit, i thirrur pas përfundimit të pyetjes, më pas ka nënshkruar një deklaratë, sipas së cilës, i pandehuri kishte pranuar para punonjësve të policisë autorësinë për veprën e kryer.
I pandehuri ka pretenduar se është detyruar të nënshkruante deklarimin në të cilin pranonte fajin, si pasojë e dhunës së vazhdueshme të ushtruar ndaj tij nga punonjës policie.
2. Prokuroria ka paraqitur para gjykatës, si prova në ngarkim të të pandehurit, procesverbalin e pyetjes së tij dhe një eksperiment hetimor, nga të cilat, sipas Prokurorisë, provohet fajësia e të akuzuarit. Në nenin 37 të KPP-së parashikohet se në momentin që personi, i cili akoma nuk ka marrë cilësinë e të pandehurit, bën deklarime prej të cilave mund të burojë përgjegjësi penale, organi procedues ndërpret marrjen në pyetje dhe e fton personin që të caktojë një mbrojtës.
Prania e mbrojtësit është një kusht i domosdoshëm për vazhdimin e marrjes në pyetje të personit.
3. Ndaj personit të marrë në pyetje nuk mund të përdoren metoda ose teknika për të ndikuar mbi vullnetin e lirë të tij.
Gjykata konstaton se sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, të kryer me kërkesën e prokurorit, tek i ndaluari Luan Mara janë vërejtur ekimoza në nofull dhe në shputat e këmbëve. Prokuroria është vënë në kontakt me të ndaluarin, e ka vlerësuar pretendimin për përdorimin e dhunës ndaj tij dhe ka urdhëruar ekzaminimin mjeko-ligjor, nuk ka ndërmarrë veprime për të sqaruar prejardhjen e dëmtimeve të vërejtura dhe rrethanat në të cilat i ndaluari është marrë në pyetje nga policia.
4. Gjykatat, krahas pohimit që ka bërë Luan Mara për veprën para punonjësve të policisë në dhomat e paraburgimit, kanë konsideruar të besueshëm një eksperiment hetimor ku, sipas tyre, ai ka treguar se si ka ndodhur ngjarja. Kushtetuesja çmon se ky eksperiment i kryer nga organet e policisë, menjëherë pasi kërkuesi ka inkriminuar veten dhe në rrethanat e përshkruara më lart, për më tepër pa praninë e mbrojtësit dhe të prokurorit, është i pabesueshëm.
I dënuari përjetë u akuzua për marrëdhënie seksuale me kunatën

TIRANE – Një ditë para se të gjendej i vdekur në banesë, më 9 shkurt 2006, rreth orës 19:00, Shpëtim Mara shkoi për një vizitë tek vëllai i tij, Iliri, i shoqëruar nga gruaja shtatzënë dhe djali 2-vjeçar. Pasi qëndroi deri në orën 21:00 tek i vëllai, Shpëtim Mara me familjen e tij u kthye në shtëpinë që ndodhej vetëm 50 metra larg. Sipas variantit të policisë, i cili është paraqitur më pas nga prokuroria në gjyq, në këtë kohë, në banesën e Shpëtim Marës ka shkuar vëllai i tij, Luani, i dënuar me burg përjetë dhe tashmë “i shfajësuar” nga Gjykata Kushtetuese. Policia pretendoi në atë kohë që Luan Mara shkoi në shtëpinë e vëllait të tij për të sqaruar diçka që kishte lindur prej kohësh mes tij dhe Shpëtimit. Dy vëllezërit besohet se kanë debatuar mes tyre në prani të gruas së Shpëtim Marës, ndërsa në banesë ndodhej edhe djali 2-vjeçar. Dyshohet se shkak i debatit ka qenë dyshimi se Luan Mara ka pasur marrëdhënie intime me gruan e të vëllait në kohën kur Shpëtimi ndodhej emigrant në Greqi. Policia tha në atë kohë se debati mes vëllezërve kaloi në përleshje fizike atë natë rreth orës 22:00. Në këtë kohë, sipas gjykimit të parë tashmë të hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, Luan Mara është larguar nga banesa e vëllait ku u gjetën viktimat dhe ka shkuar në shtëpinë e tij. Është pretenduar se Luan Mara ka qëndruar në verandën e banesës për disa minuta dhe më pas është kthyer në drejtim të shtëpisë së të vëllait me të cilin kishte bërë debat. Sipas policisë, Luan Mara ishte në dijeni se te koteci i pulave vëllezërit mbanin një automatik “Kallashnikov”. Me këtë armë në duar ai dyshohet se ka hyrë përsëri në banesën e të vëllait pasi kishte mbështjellë armën me qese plastike. Pretendohet se në këtë kohë, Shpëtim Mara, gruaja e tij dhe djali 2-vjeçar kanë qenë pranë sobës kur janë qëlluar me breshëri arme dhe kanë gjetur vdekjen. Pas kësaj, sipas policisë, Luan Mara ka dalë nga banesa e viktimave dhe pasi ka vrapuar në drejtim të lumit pranë fshatit, e ka hedhur armën aty dhe është kthyer në shtëpinë e tij. Viktimat u gjetën pa jetë të nesërmen në mëngjes. Pas shpalljes së dënimit me burg përjetë në Gjykatën e Beratit ndaj Luan Marës, familjarët dhe të afërmit kanë protestuar në sallën e gjyqit. Ata kanë thënë se vrasësi i vërtetë i familjes së Shpëtim Marës është i lirë dhe i armatosur, duke i kërcënuar çdo ditë. “Ai është Armando Mara, që e ka kërcënuar shumë herë përpara ngjarjes Shpëtimin, pasi ai i kishte prishur një fejesë kushëririt”, kanë deklaruar familjarët në gjykatë.
© Panorama.al











