Masakër mjedisore te Kodrat e Liqenit

Sep 12, 2011 | 12:06
Drurët e prerë dje te Liqeni

Policia Bashkiake zbulon një rast flagrant të dëmtimit të pemëve dekorative në Parkun e Madh të Tiranës, te Kodrat e Liqenit Artificial.Disa persona janë ndaluar duke prerë pemët e parkut, duke shkaktuar në këtë formë një dëm ekologjik për kryeqytetit. Ngjarja u zbulua mbrëmjen e së premtes, kur forcat e Policisë Bashkiake po ushtronin kontrolle rutinë në zonë. Për dëmtimin e drurëve dekorativë, që kryhej në kundërshtim me nenin 206 të Kodit Penal, u informuan edhe strukturat e Policisë së Shtetit dhe zona u mbajt në vëzhgim nga efektivat e Komisariatit Nr.1, në bashkëpunim me forcat e Policisë Bashkiakë, në mënyrë që të dyshuarit të kapeshin në flagrancë. Burime nga Policia e Tiranës dhe Policia Bashkiake thanë se mbrëmjen e së shtunës janë ndaluar dhe janë çuar për ndjekje penale 3 persona, të cilët akuzohen për “prerje të druve dekorativë dhe frutorë”. Sipas burimeve zyrtare nga Policia Bashkiake Tiranë, mësohet se janë ndaluar Dritan Marku, Ardian Dervishaj dhe Shkelzen Shehu, banues në periferi të kryeqytetit. Policia ka sekuestruar edhe disa trungje të prera, si dhe mjete prerëse që përdoreshin për këtë rast. Burime nga policia thanë se janë shoqëruar dhe ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj Dritan Markut, Ardian Dervishajt dhe Shkelzen Shahut, të cilët u kapën në flagrancë duke prerë pemët dekorative te Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë. Sipas burimeve, ata akuzohen për prerje të drurëve dekorativë dhe frutorë. Akuza në nenin 206 të Kodit Penal parashikon që prerja e drurëve dekorativë dhe dëmtimi i lulishteve e parqeve nëpër qytete, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë. Ata rrezikojnë edhe burg deri në tre muaj, pasi rezulton që më parë të jetë e refuzuar leja e prerjes nga organet kompetente. Burime zyrtare nga Policia Bashkiake thanë se tre të ndaluarit dyshohet të kenë prerë një numër të madh pemësh, dhjetëra pisha gjatë muajve të fundit. Këtë veprim ata e kryerin gjatë orëve të natës, në mënyrë që të mos viheshin re nga kalimtarët dhe policia. Gjatë deklarimeve të tyre në Komisariatin Nr.1, të ndaluarit kanë pretenduar se prisnin pemët e rrëzuara, por pas verifikimit, rezultoi e kundërta. Në cilësinë e provës materiale, përveç drurëve që ndodhen ende në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi edhe mjetet që ata përdornin, dy sharra elektrike, dy radio ndërlidhëse, si dhe një fugon me targa të falsifikuara që përdorej për transportin e drurit.

Neni 206

Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë, konsiderohet vepër e dënueshme nga Kodi Penal i Shqipërisë. Sipas nenit 206 të këtij Kodi: Prerja e drurëve dekorativë dhe dëmtimi i lulishteve e parqeve nëpër qytete përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë. Prerja e drurëve në pemëtore, ullishta e vreshta, pasi është refuzuar më parë leja e prerjes nga organet kompetente, përbën kundërvajtje penale e dënohet me burgim gjer në tre muaj, thuhet në Kod.

Bashkëpunimi

Sipas ligjit, Policia Bashkiake e çdo qyteti mund të kërkojë ndihmën e Policisë së Rendit në rastet e konstatimit të kryerjes së veprave penale. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në rastin e dëmtimit të masivit të pemëve te Liqeni Artificial në Tiranë. Policia Bashkiake që ka konstatuar kryerjen e veprës penale, ka njoftuar Policinë e Rendit, e cila ka nisur procedimin penal dhe më pas ka ndërhyrë me arrestimin e personave që po dëmtonin drurët dekorativë. Dosja penale për ngjarjen është dërguar në Prokurori.

“Druvarët” e natës, që prej muajsh prisnin pemët e Liqenit Artificial

U desh ndalimi i tre personave që prisnin dru natën te  kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, për të kuptuar se një pjesë e masivit të Parkut të Madh të kryeqytetit ishte në rrezik,  pasi po priteshin pemët. Ndryshe nga zona e brendshme e parkut, që është e dendur me drurë dekorativë dhe gjelbërim, zona mes pjesës pas Korpusit Qendror te sheshi “Nënë Tereza” dhe stadiumit “Qemal Stafa”, ku është një prej rrugëve që të çon te Kodrat e Liqenit, është thuajse e boshatisur. Shumë prej atyre që e frekuentojnë rregullisht parkun e Liqenit Artificial, duke bërë vrap në këtë zonë, mund ta kenë bërë këtë pyetje me vete herë pas here, “Përse këtu nuk ka pemë?”, por përgjigjen edhe ne e morëm mëngjesin e djeshëm. Disa trungje të prera, një hapësirë mjaft e madhe bosh, vetëm me bar të tharë dhe disa trungje të tjera të prera dhe të vendosura në anë të rrugës, flasin qartë se aty ka vënë dorë njeriu, duke dëmtuar parkun. Nuk është e nevojshme të jesh as inxhinier pyjor dhe as ekologjist për të kuptuar që drutë nuk janë prerë as sot, as dje, por prej muajsh. Dhe gjithçka u zbulua vetëm gjatë natës të së  premtes, kur tre punëtorë të “Ushtarit të Panjohur”, u kapën duke prerë pemët. Një banor i zonës, shumë pranë hyrjes për te Kodrat e Liqenit, na tha që pemët kanë kohë që po priten. “Nuk kemi folur me njeri dhe nuk e kemi diskutuar, jo se nuk na bënte përshtypje, por mendonim se diku do ishte marrë një leje për prerjen e drurëve”, tregon një qytetar. Ndërsa dikush shprehet se trungjet e prera nuk shkonin shumë larg nga aty, por përdoreshin për furrën e drurit në një prej restoranteve aty pranë. Këtë fakt na e pohuan edhe burime nga Policia e Tiranës, që na thanë se 3 personat e ndaluar, hallexhinj që kërkonin punë tek  “Ushtari i Panjohur”, ishin paguar nga një restorant për të prerë pemët. Dhe, sipas policisë, jo vetëm që t’i përdornin trungjet për furrën e kuzhinës, por edhe që pranë restorantit të lirohej edhe një hapësirë më e madhe për të zgjeruar më shumë aktivitetin. Në fakt, ashtu ka ndodhur. Këtë mund ta shohin të parët ata që nisin ditën duke bërë vrap nga Liqeni Artificial. Në hyrje të rrugës që përdoret për vrapim. Në të dy anët e saj shihet një hapësirë e madhe pa pemë dhe disa trungje të vendosura mbi njëra-tjetrën që janë prerë nga “druvarët” e paguar, që u ndaluan nga policia.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura