Maldivet po përgatiten për një shtrëngim të rregullave për zhytjet nënujore. Vendimi i qeverisë së Malé vjen pas vdekjes së pesë zhytësve italianë në një shpellë mbi 60 metra nën sipërfaqen e detit.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi kryesor i Zyrës së Presidentit, Mohamed Hussain Shareef, vetëm pak orë pas nxjerrjes së trupave nga deti dhe mbërritjes së tyre në Itali.
Sipas deklaratave të tij, bëhet fjalë për një ashpërsim të ndjeshëm të rregullores lidhur me të ashtuquajturin “tech-wreck diving”, pra zhytjet teknike në rrënoja anijesh apo hapësira të ngushta nënujore.
Gjatë një konference për shtyp, Mohamed Hussain Shareef shpjegoi se objektivi i rregullores së re është të korrigjojë një sërë mangësish që, sipas autoriteteve, mund të kenë kontribuar në tragjedinë e zhytësve italianë.
Ligji, ende në fazë hartimi, do të kërkojë pajisjen me një leje të posaçme për të marrë pjesë në misione “tech-wreck”. Për më tepër, këto autorizime do të jepen në mënyrë shumë të kufizuar nga autoritetet dhe vetëm për studiues apo zhytës me certifikime të avancuara.
Qëllimi është gjithashtu vendosja e standardeve të detyrueshme për eksperiencën minimale, protokollet e sigurisë dhe pajisjet teknike, elemente që dyshohet se kanë munguar në ekspeditën ku humbën jetën pesë zhytësit italianë.
“Meqenëse bëhet fjalë për studiues dhe zhytës ‘tech-wreck’ që përdorin pajisje të specializuara, një aktivitet që nuk mund të kryhet pa aftësi specifike dhe eksperiencë të nivelit të lartë, ne do ta rregullojmë këtë sektor përmes udhëzimeve shumë rigoroze”, deklaroi Shareef.
Çfarë është “tech-wreck diving” dhe si ndryshon nga zhytja rekreative
“Tech-wreck diving” është një aktivitet ende jo plotësisht i standardizuar. Në përgjithësi, termi përdoret për zhytjet që tejkalojnë kufijtë e lejuar për zhytjet rekreative jo-profesionale, në Maldive kufiri është 30 metra, dhe gjatë të cilave zhytësit eksplorojnë ambiente të mbyllura si rrënoja anijesh, nëndetëse, tunele apo shpella nënujore.
Duke kaluar kufijtë klasikë të thellësisë dhe duke u ekspozuar ndaj presionit më të lartë, rreziqet për organizmin e njeriut rriten në mënyrë eksponenciale. Për këtë arsye, pajisjet e përdorura janë tepër teknologjike, nga rebreather-at, tashmë të përdorur edhe në zhytjet rekreative, deri te përzierjet speciale të gazrave në bombola.
Ndër përzierjet më të zakonshme, përveç nitrox-it klasik të përbërë nga oksigjen dhe azot, përdoren edhe trimix apo helair, që kombinojnë oksigjenin, azotin dhe heliumin, si dhe heliox-i, i përbërë nga oksigjen dhe helium. Pikërisht heliumi konsiderohet element kyç, pasi lejon frymëmarrjen në thellësi më të mëdha falë densitetit të tij më të ulët.
Kjo ndihmon në uljen e rrezikut të toksicitetit të oksigjenit dhe narkozës nga azoti, dy nga pasojat më të rrezikshme që mund të ndodhin kur presioni i madh i ujit ndikon mbi gazrat e përdorur gjatë zhytjes.
© Panorama.al












