
Socialdemokrati Martin Schulz është zgjedhur sot kryetar i ri i Parlamentit Evropian. Udhëheqësi i deritanishëm i grupit parlamentar socialdemokrat fitoi 387 nga 699 votat e Parlamentit. 56 vjeçari Martin Schulz u zgjodh si pasardhës i konservatorit nga Polonia Jerzy Buzek dhe do të jetë në këtë post dy vjet e gjysmë. Posti i presidentit të Parlamentit Evropian tradicionalisht ndahet mes konservatorëve dhe socialdemokratëve. Schulz është anëtar i këtij Parlamenti prej vitit 1994 dhe aktualisht drejton grupin parlamentar të socialdemokratëve. Pak pas zgjedhjes në postin e kryetarit të Parlamentit Evropian ai tha se qëllimi i tij kryesor është forcimi i këtij institucioni.
“Zgjedhja në postin e kryetari të Parlamentit Evropian në këto kohëra turbulente është për mua një nder dhe shans i madh”, deklaroi Schultz. Ai shtoi se do të angazhohet që kryetari i PE të marrë pjesë në të ardhmen edhe në samitet kushtuar krizës së euros.(DW)











