Marsi, e fejuara e Meridianit, menaxhere mode dhe pjesë e PD-së

Mar 1, 2014 | 15:42


I lindur në Shkodër, por prej më shumë se 19 vitesh jeton së bashku me familjen e tij në Tiranë. Meridian Ramcaj ka mbaruar studimet e larta për Inxhinieri në Universitetin Politeknik të Torinos. Dëshira e tij e madhe për të qenë i famshëm ka bërë që të jetë pjesë e spektaklit të sivjetshëm të “Big Brother”. Ai është një admirues i madh i kafshëve dhe në shtëpinë e tij ka një qen dhe një iguana. Kohën e lirë e kalon me miqtë duke luajtur futboll. Meridiani është dhe një menaxher shumë i mirë, pasi së bashku me aktorin Julian Deda menaxhojnë klubin Trikotazh në zonën e ish- Bllokut. Edhe pse familja e tij dhe e fejuara me të cilën ka tetë vite lidhje dashurie, kanë qenë kundër futjes së Meridianit në “Big Brother”, ai e ka çuar deri në fund këtë vendim.
Po kush është e fejuara e Meridianit? Sigurisht që ajo tashmë nuk është e panjohur, ndonëse jo shumë e pranishme në median shqiptare. Marsi Bojko quhet zeshkania e bukur, e cila ka tetë vite që është e lidhur me Meridianin e “BB”. Hulumtuam gjithandej për Marsin, por vështirë të gjendej ndonjë informacion apo foto e saj, pasi ajo ishte kujdesur me shumë imtësi që çdo detaj mbi të dhe jetën e saj për momentin të zhduket nga rrjetet sociale. Ajo që mësuam, është se ajo menaxhon agjencinë e modës Bindi Models me pesë përfaqësi në Shqipëri dhe në disa vende të ndryshme të botës. Pasi kontaktuam në faqen zyrtare të Meridianit në facebook, morëm përgjigje se e fejuara nuk dëshiron të prononcohet e as dëshiron që emri i saj të lakohet në media. ”Na vjen keq, por e fejuara e Meridianit nuk do të prononcohet për asnjë media, ne jemi familjarë dhe shokë të tij që menaxhojmë faqen. Ajo momentalisht ndodhet jashtë, por edhe kur të kthehet, ju lutem ta mbani jashtë këtij formati, pasi është dëshirë e saj”, kjo ishte përgjigjja që morëm. Por ne mësojmë se Marsi për momentin është larguar drejt Italisë për t’i ikur kësaj vëmendjeje mediatike, të cilën do ta fitojnë si çift, pas futjes së Meridianit në “Big Brother”. Interesant është fakti se Marsi gjatë zgjedhjeve të fundit ishte pjesë e fushatës së Partisë Demokratike, ku në njërin prej tubimeve qendrore ajo ka promovuar edhe agjencinë e saj të modës.

© Panorama.al

Te lidhura