Gazetarja dhe moderatorja e emisionit “Oponencë” Anduena Llabani ishte e ftuar në studion e News24 pasditen e sotme teksa foli mbi marrjen në hetim të numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku nga ana e SPAK.
Llabani nxjerr në pah pushtetin që ka Balluku në qeveri, teksa ka pasur dorë në të gjithë projektet e mëdha infrastrukturore në vend gjatë qeverisjes Rama. Sakaq, ajo thekson se hetimet e SPAK mund të nxjerrin se këto financime janë skema për pastrimin e parave dhe jo ndërtimin e infrastrukturës së vendit.
“Nuk mendoj se Rama e ka lëshuar zonjën Balluku. Po flasim për një njeri që ka administruar ministri të rëndësishme. Ka patur firmën edhe veton në shumë projekte madhore. Nëse SPAK është i rezervuar për të dhënë detaje ku flitet për një kallëzim të tunelit të Llogarasë. Bëhet fjalë për një tende që i është dhënë një kompanie turke me vlerë gati 50 milionë euro.
Në këtë histori, meqë ishte rasti i aeroportit të Vlorës, ku ishte prapë një kompani turke tregon se këto skema në lidhje me ndërtime dhe financime të veprave madhore në Shqipëri nuk kanë qenë qëllime për ndërtimin e infrastrukturës, por pastrimin e parave. Nëse kjho është skema që SPAK po heton kjo do jetë një kolpo shumë e madhe dhe goditje nën brez për qeverinë Rama.”
Më tej, Llabani zbulon se me procedimet në SPAK ndaj Ballukut janë marrë një grup i madh prokurorësh, teksa pritet që me mbylljen e mandatit si kryeprokuror, Dumani t’i japë zgjidhje këtyre procedimeve ndaj Ballukut.
“Një numër i madh prokurorësh është angazhuar kohët e fundit në lidhje me një numër të madh procedimesh dhe me të gjithë kallëzimet penale që janë ndaj zonjës Balluku. Këtë e kam informacion të saktë.
Zoti Dumani do t’i japë dum gjithë këtyre materialeve përpara se të dorëzojë mandatin. Mendoj se edhe prokurori i ri që do zërë vendin e tij do eci në hapat që i është dashur shteteve të huaja SHBA dhe faktori ndërkombëtar që SPAK të spastrojë gjithë politikën.”
© Panorama.al












