Marrëveshje 11 miliardë dollarë mes Starmer dhe Erdogan, bien dakord për 20 avionë luftarakë “Eurofighter”

Oct 27, 2025 | 19:57

Nënshkrimi i kontratës për furnizimin e 20 avionëve luftarakë Eurofighter Typhoon për Turqinë ishte tema kryesore e takimit të Keir Starmer, me presidentin turk Tayyip Erdogan, në Stamboll.

starmer dhe erdogan

Finalizimi i marrëveshjes (me vlerë 10.74 miliardë dollarë, sipas Al Arabiya), të cilën Ankaraja e ka ndjekur prej kohësh, u njoftua nga zëdhënësi i Starmer, ndërsa vetë kryeministri britanik, i cili vizitoi industrinë turke të hapësirës ajrore, ku prodhohen avionët luftarakë turq KAAN, njoftoi se me marrëveshjen e nënshkruar, ai siguroi 20,000 vende të reja pune për bashkatdhetarët e tij.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healy, i cili po shoqëron kryeministrin britanik në Ankara, foli për “eksportin më të madh të avionëve luftarakë në një brez”, duke shtuar se marrëveshja “do t’i mbajë linjat e prodhimit të Typhoon aktive për vite me radhë” dhe “do të forcojë aftësinë parandaluese të NATO-s në një rajon kritik”.

Ndarja e prodhimit parashikon që rreth 37% e secilit avion do të prodhohet në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga vendet partnere të Eurofighter.

“Ne nënshkruam deklaratën e bashkëpunimit për furnizimin me avionë luftarakë Eurofighter në praninë tuaj. Ne e shohim këtë marrëveshje si një moment të ri në marrëdhënien tonë”, tha Erdogan në deklaratat e tij pas takimit me Starmer.

“Si partnerë dhe aleatë strategjikë, ne mbajmë një kanal të hapur komunikimi së bashku për shumë çështje në axhendën ndërkombëtare, përtej çështjeve dypalëshe. Diskutimet tona sot u përqendruan në marrëdhëniet tona tregtare dhe mbrojtëse. Siç e dini, Mbretëria e Bashkuar është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe të investimeve të vendit tonë. Ne jemi të vendosur të rrisim vëllimin tonë tregtar fillimisht në 30 miliardë dollarë dhe më pas në 40 miliardë dollarë. Jemi të vendosur të forcojmë më tej marrëdhëniet tona ekonomike. Institucionet dhe organizatat tona përkatëse po marrin shumë masa, duke përfshirë përditësimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Po shqyrtojmë gjithashtu mundësitë e investimeve të përbashkëta në vendet e treta. Qëllimi ynë është të krijojmë partneritete të reja në sektorët e energjisë dhe mbrojtjes”, shtoi presidenti turk.

Përveç kësaj, pas nënshkrimit të kontratës me Mbretërinë e Bashkuar, Ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, foli për një marrëveshje për të blerë edhe 24 Eurofighter nga Katari (12) dhe Omani (12), ndërsa shtoi se avionët do të fillonin të mbërrinin në vend nga Britania në fillim të vitit të ardhshëm.

Uebsajti i lajmeve në gjuhën angleze,  Middle East Eye, kishte raportuar se Starmer dërgoi dy Eurofighter  në Ankara para mbërritjes së tij  , pa specifikuar  nëse këta avionë do të qëndronin në Turqi apo nëse ishte thjesht një gjest simbolik nga ana e Kryeministrit Britanik.

© Panorama.al

Te lidhura