
TIRANË- Një ditë pas marrëveshjes së arritur mes maxhorancës dhe opozitës për reformat, presidenti i vendit, Bamir Topi ka përshëndetur rikthimin e dialogut.
“Dialogu politik për reformat institucionale, edhe pse i vonuar, përbën një detyrim dhe sfidë madhore për politikën shqiptare, në përpjekjet e vendit tonë për arritjen e standardeve ndërkombëtare të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”- thuhet në mesazhin e kreut të shtetit, publikuar ne faqen zyrtare të Presidencës.
Topi inkurajon partitë politike të vazhdojnë në këtë rrugë, për të ndërmarrë një proces gjithëpërfshirës dialogu.
“Presidenti inkurajon forcat politike parlamentare që të ndërmarrin një proces gjithëpërfshirës dialogu, dhe me vullnet të qartë politik të bashkojnë energjitë e tyre për të realizuar dhe votuar në kohë reformat e premtuara prej tyre dhe ato të cilësuara në Raportin e Përparimit të Komisionit Evropian mbi Shqipërinë”- perfundon mesazhi.
© Panorama.al











