PRISHTINE- Takimit mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë do t`i paraprijnë disa zhvillime, që do të përmirësojnë besimin mes palëve si dhe gjendjen në terren.
Diplomatë ndërkombëtarë kane deklaruar per ‘Koha Ditore’ në kushte anonimiteti se hapat e parë që duhet të ndodhin në raport me dialogun janë zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani, sidomos ajo e menaxhimit të integruar të kufirit, si dhe arritja e marrëveshjeve në dy temat e mbetura nga dialogu teknik, ajo për telekomin dhe energjetikën.
“Për ne nuk është e rëndësishme se në cilin format të dialogut do të arrihen dy marrëveshjet e reja, por marrëveshjet duhet të arrihen”, i ka thënë gazetës një zyrtar evropian.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçic pritet që brenda pak ditësh të qëndrojë në Bruksel. Në takimin që pritet ta ketë me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme atij do t’ii prezantohet iniciativa e kryediplomates evropiane për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe do t’i kërkohet që premtimet e bëra nga presidenti Nikolic gjatë vizitës së tij të parë në Bruksel të bëhen realitet.
© Panorama.al











