Majko:Marrëveshja, nga presioni, jo nga vullneti

Dec 6, 2011 | 21:17

UASHINGTON- Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Pandeli Majko në një intervistë për Zërin e Amerikës në shqip, tha se marrëveshja mes qeverisë dhe opozitës, e arritur së fundi, nuk vjen si rezultat e vullnetit të mirë, por si pasojë e presionit ndërkombëtar.

“Negociatat në thelb nuk vijnë nga vullneti i mirëfilltë i palëve, por besoj se kjo më tepër i dedikohet presionit të ndërkombëtarëve, një procesi të integrimit në Bashkimin Evropian, tanimë i bllokuar për shkak të krizës politike dhe që nën këtë presion ka filluar një negociate,  e cila ka ulur në tavolinë palët për të disatën herë, për të njëjtën gjë”- tha Majko.

Sipas tij, nëse do të gjendet një zgjidhje për reformën zgjedhore ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse, jo vetëm ndërmjet PD-së dhe PS-së por edhe partive të vogla.

Dialogun mes dy partive të mëdha deri në këto momente është në  nivele qesharake, tha Majko, pasi sipas tij, nuk mund të konsiderohet sukses miratimi i Kodeve. Ai shtoi se atmosfera është e tillë, që në çdo moment mund të kthehet nga pozitive në të kundërtën e vet.

Lidhur me një koalicion të mundshëm të PS-së me LSI-në, Majko theksoi se “deklarimet që vijnë nga LSI dhe PD është që në zgjedhjet e ardhshme ata do të jenë sërish bashkë”

Sipas tij, kjo histori e koalicionit të PS-së me LSI-në, i ngjan atij djalit që i këndon vajzës me kitarë poshtë ballkonit për t’i mbushur mendjen, ndërkohë që ajo është fejuar me dikë tjetër.

© Panorama.al

Te lidhura