Marrëveshja e arritur së fundmi mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel për menaxhimin e integruar të kufijve, është kritikuar nga opozitat e të dyja vendeve, si shkelëse e Kushtetutës. Qeveria e Kosovës thotë se me marrëveshjen e re Serbia e ka njohur pavarësinë e Kosovës. E po të njëjtit mendim është edhe opozita serbe. Sllobodan Samarxhiç tha se Serbia e ka njohur Kosovën me pranimin e marrëveshjes së menaxhimit të integruar të kufirit. Bashkëpunëtori i Vojislav Koshtunicës, njëkohësisht nënkryetar i Partisë Demokratike serbe tha se nuk duhet t’u besohet fjalëve të Presidentit të Serbisë, por duhet lexuar marrëveshja. Ndërsa opozita në Kosovë thotë se marrëveshja është antikushtetuese, pasi nuk e specifikon statusin e Kosovës dhe nuk shërben për asgjë, pasi secila palë mund ta interpretojë atë si të dëshirojë.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës dhe kundërshtarëve të tij në Serbi që ta pranojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Nga Berlini, Tadiç ka thënë se Serbia marrëveshjen e arritur e sheh vetëm si marrëveshje për pikëkalimet administrative, e jo për kufij. “Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e as që do ta bëjë këtë në ardhmen”, tha ai. Ndërkohë, sipas zv/kryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, marrëveshja e arritur ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe rreth çështjes së kufijve, tregon se Serbia ka njohur zyrtarisht kufijtë e Kosovës. Bashkimi Europian ua ka dorëzuar Prishtinës dhe Beogradit marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit. Palët pritet ta nënshkruajnë ndaras një protokoll teknik që merr parasysh dallimet rreth çështjes së statusit. Por në fakt, termi i përdorur është “pikëkalime”. Zbatimi i marrëveshjes, e cila duket krejtësisht neutrale ndaj statusit, thuhet se do të mbikëqyret nga një komision trepalësh, i kryesuar nga europianët.
Reagimi i LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka mbështetur rezultatin e bisedimeve me Serbinë, me argumentin se kanë prekur elemente të shtetësisë së Kosovës. “Qeveria, nga fillimi i negociatave me Serbinë, e ka ndihmuar këtë të fundit për të shkuar sa më parë drejt BE-së, ndërsa vazhdimisht ka dëmtuar interesat e Kosovës”, thuhet nga LDK-ja. Sipas saj, mostheksimi i kufijve të Republikës së Kosovës si kufij shtetërorë është akt antikushtetues dhe dëmton interesat e Kosovës.
Zhgënjim
Serbët e pjesës veriore të Kosovës kanë reaguar të zhgënjyer me marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit. “Përfaqësuesit e institucioneve të Prishtinës nuk duhet në asnjë mënyrë të lejohen të vendosen në Veri të Kosovës”, tha Kërstimir Pantiç nga strukturat paralele të Mitrovicë.











