Marrëveshja Izrael-Liban, zbardhen pikat kryesore të dokumentit për “paqe të qëndrueshme” të nënshkruar në Washington

Jun 27, 2026 | 12:47

Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) ka publikuar pikat kryesore të marrëveshjes e cila u nënshkrua të premten në Uashington nga Izraeli, Libani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me synimin për të arritur një “paqe të qëndrueshme” mes dy vendeve fqinje në Lindjen e Mesme.

israel_lebanon_maketa

Sipas marrëveshjes, Izraeli dhe Libani riafirmojnë objektivin e tyre të përbashkët për vendosjen e paqes dhe sigurisë afatgjatë.

Dy vendet shprehin gjithashtu vullnetin për t’i dhënë fund konfliktit, për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe konfirmojnë të drejtën e secilit shtet për të ekzistuar në paqe.

Marrëveshja parashikon që mosmarrëveshjet mes Izraelit dhe Libanit të zgjidhen përmes negociatave të drejtpërdrejta dypalëshe, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Po ashtu, është krijuar një grup koordinimi ushtarak, i përbërë nga përfaqësues të dy qeverive dhe të SHBA-së, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes.

Çarmatimi i Hezbollahut dhe tërheqja graduale e Izraelit

Edhe pse marrëveshja nuk e përmend me emër organizatën shiite pro-iraniane Hezbollah, ajo parashikon një proces përmes të cilit Forcat e Armatosura të Libanit (LAF) do të rivendosin kontrollin efektiv dhe sovran në të gjithë territorin libanez.

Kjo do të ndodhë me kusht që të verifikohet çarmatimi i grupeve të armatosura jo-shtetërore dhe shpërbërja e infrastrukturës së tyre, çka do t’i hapë rrugën tërheqjes graduale të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nga territori i Libanit.

Qeveria libaneze deklaron se konsideron të paligjshëm çdo pretendim të një aktori shtetëror apo jo-shtetëror për të përdorur forcën në emër të saj, pa autorizimin e saj të shprehur.

Marrëveshja parashikon gjithashtu që ushtria libaneze të rimarrë gradualisht kontrollin e territorit të vendit, duke nisur nga dy zona pilot.

Këto zona do të përcaktohen në bashkëpunim me ushtrinë izraelite, e cila do t’ia dorëzojë ato gradualisht autoriteteve libaneze, pasi të jetë përfunduar çarmatimi i grupeve të armatosura jo-shtetërore dhe shpërbërja e infrastrukturës së tyre.

Më pas do të përcaktohen edhe zona të tjera pilot, me marrëveshje të ndërsjellë.

Pasi ushtria libaneze të marrë kontrollin e plotë të këtyre zonave, do të nisin përpjekjet për rindërtim, të mbështetura nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa civilët libanezë do të mund të rikthehen në mënyrë të sigurt në këto zona, të cilat do të jenë nën kontrollin ekskluziv të autoriteteve shtetërore të Libanit.

Në marrëveshje, Izraeli deklaron se veprimet e tij ushtarake në Liban kanë qenë pasojë e sulmeve, kërcënimeve dhe synimeve armiqësore të grupeve të armatosura jo-shtetërore, veçanërisht të Hezbollahut.

Sipas dokumentit, zhdukja e këtij kërcënimi do të eliminonte çdo nevojë të ardhshme për ndërhyrje ushtarake ose për praninë e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit në Liban. Qeveria izraelite deklaron gjithashtu se nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Libanit.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara angazhohen të mobilizojnë partnerët e tyre ndërkombëtarë për të mbështetur qeverinë libaneze në rindërtimin e vendit, rikthimin e infrastrukturës, ringjalljen e ekonomisë dhe krijimin e perspektivave për zhvillim dhe mirëqenie.

Ndërkohë, Libani angazhohet shprehimisht të parandalojë devijimin e fondeve të destinuara për rindërtim, në mënyrë që ato të mos përfundojnë në duart e grupeve të armatosura jo-shtetërore apo entiteteve të lidhura me to.

© Panorama.al

Te lidhura