Marrëveshja e shumëpërfolur për lëvizjen e lirë, e arritur në dialogun teknik Prishtinë-Beograd, e cila ka nisur të zbatohet javën e fundit të dhjetorit ka sjellë izolimin e banorëve të Luginës së Preshevës, për shkak të vendosjes së tarifave të larta për policat kufitare të sigurimit.
Madje, shqiptarët e Luginës thonë se kjo marrëveshje përveç se ka cunguar lirinë e lëvizjes edhe ashtu të kufizuar, ka zhytur në bllokadë të tërë qarkullimin e qytetarëve të atjeshëm. Mirëpo, autoritetet qeveritare në Prishtinë, zotohen se brenda pakë ditësh kompanitë e sigurimeve do të arrijnë një marrëveshje për heqjen e këtyre tarifave.
Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, i ka deklaruar gazetës përmes telefonit se marrëveshja e arritur për lirinë e lëvizjes mes palës kosovare dhe asaj serbe, është e disfavorshme dhe ka dëmtuar në masë të madhe xhepin e varfër të shqiptarëve të Luginës.
Ai madje, ka theksuar se nga paraqitja e tarifave enorme dhe reciprociteti në kuadër të këtyre tarifave për policat kufitare të sigurimit, shihet se nuk është lehtësuar lëvizja e lirë, por përkundrazi është vendosur embargo për shqiptarët. (Zeri)
© Panorama.al











