Marko Rubio: Plani i paqes për Ukrainën është hartuar nga SHBA dhe jo nga Rusia

Nov 23, 2025 | 7:38

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, këmbëngul se propozimi i ri për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë është hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe nuk pasqyron thjesht kërkesa ruse, siç kanë akuzuar disa senatorë amerikanë.

rubio

Në një reagim në platformën X, Rubio theksoi se “propozimi i paqes është hartuar nga SHBA”. Ai shtoi se dokumenti “ofrohet si një kornizë e fortë për negociatat në vijim. Bazohet në elemente të paraqitura nga pala ruse, por edhe në kontributet e mëparshme dhe të vazhdueshme të Ukrainës”.

Më herët, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tomi Pigot, reagoi po në X duke cilësuar deklaratat e tre senatorëve amerikanë si “krejtësisht të pavërteta”.

Tre anëtarët e Senatit, republikani Majk Raunds, i pavaruri Angus King dhe demokratja Xhin Shahin pohuan se Rubio u kishte thënë se dokumenti nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të SHBA-së dhe se ishte thjesht një pikënisje negociatash që sipas tyre përmbante “një listë me dëshirat e Rusisë”.

“Ministri Rubio na telefonoi pasdite. Mendoj se na e shpjegoi qartë se kishim marrë një propozim të përcjellë nga një prej përfaqësuesve tanë. Nuk është rekomandimi ynë. Nuk është plani ynë i paqes”, deklaroi senatori Raunds.

Rubio pritet të mbërrijë sot në Gjenevë së bashku me të dërguarin diplomatik të presidentit Donald Trump, Stiv Uitkof, për bisedime me përfaqësues ukrainas dhe europianë, të cilët nuk kanë fshehur shqetësimin për planin me 28 pika.

© Panorama.al

Te lidhura