
GJIROKASTER – Policia e Kakavijës sekuestroi dje tre kg marijuanë, në tentativë për të kaluar drejt Greqisë. Poseduesi i lëndës narkotike është një 18-vjeçar nga Elbasani, i cili arriti t’i shpëtojë policisë kufitare sy më sy. Mësohet se dje rreth orës 14:30, gjatë një kontrolli të ushtruar në një nga autobusët e linjës Tiranë-Athinë, në bagazhin e tij është gjetur brenda një valixheje lënda e dyshuar. “Droga ishte fshehur poshtë disa rrobave brenda një qese plastmasi, në të cilën kishte dy pako të mbështjella në formë të rrumbullakët me letër ngjitëse. Personi që e posedonte valixhen, 18-vjeçari Aleks Paja, ka zbritur nga autobusi sapo policia filloi kontrollin fizik të mjetit”, bënë të ditur burime nga policia. Duke përfituar edhe nga konfuzioni i krijuar në Kakavijë si rrjedhojë e lëvizjeve të shumta mesditën e djeshme, Paja arriti të kapërcejë rrethimin e godinës së kontrollit të pasaportave, duke marrë drejtimin e Pyllit të Katunëdës mbi fshatin Kakavijë. Policia është vënë në ndjekje të tij, nga ku rrethoi zonën, duke krehur të gjithë pyllin edhe me qen gjurmues. Ai u arrestua disa orë më vonë për trafik ndërkombëtar të drogës. Autobusi, së bashku me pasagjerët, pas përfundimit të veprimeve paraprake hetimore dhe procedurale, ka vijuar rrugëtimin drejt Athinës. p.n











