Maradona sulmon Blaterin për komentet mbi racizmin në futboll

Nov 19, 2011 | 14:03

Diego Maradona thotë se presidenti i FIFA-s, Sepp Blater, ka bërë shumë gabime në detyrën që e mban prej kohësh, kështu që nuk është i befasuar nga komentet e zvicerianit për racizmin. Legjenda argjentinase e futbollit, madje ka kërkuar të ndërmerren veprime konkrete kundër presidentit të FIFA-s, pasi komentet e tij për racizmin në futboll janë të patolerueshme. Blateri ndezi polemika, kur tha para një jave se racizmi nuk ishte ndonjë problem i madh në futboll, sepse cdo shqetësim i tillë gjatë ndeshjeve do të harrohej me një shtrëngim duarsh në fund të lojës. Komentet e tij shkaktuan një reagim të gjerë, me të cilat u bashkua edhe Maradona në kor. “Blateri ka bërë shumë gabime më parë. Nëse vendimet, ose gjërat që ai tha, shkaktojnë habi dhe irritim tek pjesa e shëndoshë e futbollit, mos u cudiosni kaq shumë, gjithsesi, sepse nuk është hera e parë për të, – u tha gazetarëve në Emiratet e Bashkuara Arabe Maradona, përpara ndeshjes së klubit të tij, Al Wasl, me Al Ain. – Për fat të keq, gabimet që ai bën nuk janë në favor të lojës së futbollit, megjithatë askush nuk befasohet nga një njeri si Blateri. Racizmi është i papranueshëm në futboll, ndaj Sep Blater dhe FIFA duhet të marrin masa menjëherë, për shkak se efektet janë shumë të këqija në lojë. Simptoma të tilla, sado të vogla e të izoluara qofshin, duhet të trajtohen sa më shpejt të jetë e mundur. Unë cuditem si nuk reagojnë apo si nuk marrin masa kundër tij anëtarët e organeve drejtuese të FIFA-s?”

 

© Panorama.al

Te lidhura