Maqedonia e Veriut e kërkonte për falsifikim të monedhave, arrestohet i fshehur në Tiranë 36-vjeçari i dënuar me burg. Gjithashtu ai ishte shpallur në kërkim edhe nga Policia e Durrësit për vjedhje.
Policia e kryeqytetit bëri sot (18 nëntor) me dije se lokalizoi dhe prangosi me qëllime ekstradimi për autoritetet e vendit fqinj, të kërkuarin N. S., 36 vjeç.
Aksioni është koduar “Operacionalja 73”. I riu ishte dënuar në mungesë nga gjykata e vendit të tij me 2 vjet burgim, për falsifikim të monedhave.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim edhe nga DVP Durrës, për veprën penale “Vjedhja”. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 73”, gjatë të cilit u kap në Tiranë dhe u vu në pranga shtetasi N. S., 36 vjeç, lindur në Maqedoninë e Veriut”, njoftoi policia.
Gjykata Themelore e Kumanovës e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “falsifikimi i monedhave”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.
© Panorama.al














