SHKUP- Në Maqedoni brenda një periudhe të shkurtër është rritur numri i ankesave të qytetarëve kundër rasteve të diskriminimit. Gjatë 11 muajve të kaluar pranë Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi kanë mbërritur 57 ankesa nga ana e qytetarëve.
Komisioni theksoi se ankesat dëshmojnë vetë ndërgjegjësimin e qytetarëve për të drejtat e tyre. Komisioni ka publikuar këto të dhëna me rastin e 10 dhjetorit- Ditës për të drejtat e njeriut.
Avokati i Popullit me rastin e kësaj dite gjithashtu ka tërhequr vëmendjen për respektimin e të drejtave të njeriut. Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti theksoi se ky përvjetor i kushtohet mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe mediave, të cilët kanë rëndësinë e tyre themelore për promovimin e të drejtave të njeriut.
Avokati Mehmeti rikujtoi për nevojën e promovimit më të madh dhe të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe i bëri thirrje shtetit që t’i kushtojë kujdes më të madh aktiviteteve për arritjen e qëllimeve të kësaj natyre. (INA)
© Panorama.al











