Sekretari për Çështjet Ligjore i LSI-së, Ylli Manjani, kërkoi dje nisjen sa më parë të reformës zgjedhore. Në një prononcim për mediat, Manjani akuzoi Partinë Socialiste se sa herë humbet zgjedhjet, kërkon ndryshime kushtetuese. “Diskutimi për Kushtetutën e vendit nuk mund të jetë as pjesë dhe as pre e arsyetimeve të nxehta dhe toksike që burojnë nga dhimbja për humbjen e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk është statuti i Partisë Socialiste që ndryshon sa herë kryetari humbet zgjedhjet”, tha Manjani.
Sipas tij, LSI është e gatshme që me fillimin e sezonit të ri parlamentar të fillojë puna me përparësi për reformën zgjedhore në vend, ashtu si? rekomandon OSBE. “Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë e vendosur dhe e angazhuar që me fillimin e sezonit të ri parlamentar të fillojë puna me përparësi për reformën zgjedhore në vend. Kjo reformë diktohet sipas rekomandimeve që ka paraqitur në vite OSBE-ODIHR-i dhe pritet të paraqesë në raportin për vlerësimin e zgjedhjeve të fundit në vend”, nënvizoi Manjani.











