Mangalli me qymyr asfikson çiftin

Jan 19, 2012 | 12:19

KORÇE/ Viktimat e para nga i ftohti. Morën ngrohjen në dhomë dhe e lanë ndezur gjatë natës

Gjenden të vdekur në mëngjes të moshuarit, u helmuan nga karboni

Dy të moshuar në qarkun e Korçës kanë gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë. Çifti i bashkëshortëve nga Lumalasi është gjetur paraditen e së mërkurës i pajetë në dhomën ku ata flinin. Sipas të dhënave, ata kishin marrë një mangall me qymyr për t’u ngrohur gjatë natës, gjë që mendohet t’u ketë shkaktuar edhe vdekjen.
Ngjarja
Temperaturat e ulëta të regjistruara në qarkun e Korçës kanë shënuar edhe dy viktimat e para. Dy të moshuar nga fshati Lumalas janë gjetur pa jetë në banesën e tyre si pasojë e asfiksisë. Çifti i bashkëshortëve 75-vjeçarë, Sadik dhe Ferdez Shaholli, janë gjetur në ambientet e shtëpisë së tyre të asfiksuar nga qymyri. Ngjarja është regjistruar rreth orëve të para të mëngjesit, kur çifti ka humbur jetën në gjumë, ndërsa në orët e paradites ata janë gjetur të dy të pajetë nga familjarët. Ka qenë nusja e shtëpisë ajo e cila, e shqetësuar nga fakti që të moshuarit nuk po zgjoheshin, ka hapur derën e dhomës dhe i ka gjetur ata të pajetë në shtratin ku flinin. Pasi kishin darkuar së bashku me nusen dhe nipërit, dy të moshuarit i ishin drejtuar dhomës së tyre për të fjetur. Me qëllimin për t’u ngrohur, bashkëshortët kishin marrë në dhomën e fjetjes një mangall të ndezur, i cili gjatë gjithë natës ka prodhuar gaz karbonik duke u shkaktuar atyre vdekjen. Mësohet se çifti jetonte në banesë me nusen e djalit dhe dy nipërit, pasi djali i tyre ndodhej emigrant në shtetin grek.
Policia
Policia bëri me dije se rreth orës 10:50 të së mërkurës është marrë njoftim se në fshatin Lumalas-Korçë, janë gjetur nga nusja e djalit, të vdekur në banesë, bashkëshortët Sadik Shaholli dhe Ferdez Shaholli, të dy të moshës 75 vjeç. Mendohet se vdekja ka ndodhur për shkak të asfiksisë nga qymyri. Uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të saj. Sipas të dhënave paraprake, zyrtarë të Policisë sqaruan se shkak i vdekjes së çiftit Shaholli është asfiksia si pasojë e qymyrit të ndezur që ata kanë pasur në dhomë përgjatë natës. Sipas ekspertëve të hetimit, nga vendngjarja nuk janë konstatuar shenja të tjera, të cilat të çojnë në dyshime për ngjarje kriminale. Nga verifikimet e kryera në dhomën ku flinin dy të moshuarit është gjetur mangalli, i cili ka qenë i ndezur për shumë orë gjatë natës. Shkaku i vdekjes se këtyre shtetasve është asfiksia nga gazrat e qymyrit, monoksidi i karbonit, me të cilin viktimat janë ngrohur gjatë natës për shkak të të ftohtit”, sqaroi Policia lokale në përfundim të hetimeve. Sipas burimeve të spitalit rajonal, nga autopsia është konstatuar një prezencë e lartë e monoksidit të karbonit në mushkëritë dhe gjakun e viktimave. Përthithja në masë e këtij gazi nga të dy viktimat është edhe faktori që ka shkaktuar vdekjen e tyre. Megjithëse për rastin dhe shkakun definitiv të vdekjes për të dy personat, në përputhje me procedurat, kampionet e për ekzaminime të mëtejshme janë nisur drejt Tiranës.

Devoll, humb jetën nga infarkti 60-vjeçari
DEVOLL – Një 60-vjeçar nga Mirasi ka humbur jetën si pasojë e temperaturave të ftohta të rajonit juglindor. Duke u regjistruar si viktima e tretë brenda së njëjtës ditë, vdekja e të cilit ka ardhur nga faktorët klimaterikë, Bexhet Sina është gjetur i pajetë në banesën e tij. Ngjarja është regjistruar në komunën Miras të rrethit të Devollit, ku sipas hetimeve viktima ka humbur jetën si pasojë e një infarkti. Burime nga Komisariati i Devollit sqaruan se viktima nuk vuante nga probleme kardiake të mëparshme dhe në momentin e ngjarjes ndodhej vetëm në shtëpi. Pas mbërritjes në vendngjarje, blutë e Komisariatit të Devollit kanë nisur hetimet. Sipas të dhënave paraprake nga vendi i ngjarjes, por edhe rrëfimet e familjarëve, viktima ka pësuar një atak kardiak, i cili mund të jetë shkaktuar ndër të tjera edhe nga pamjaftueshmëria e ngrohjes brenda ambienteve të banesës. Sina është gjetur i pajetë nga bashkëshortja e tij, e cila ka kërkuar ndihmë mjekësore, por janë sinjalizuar njëherazi edhe blutë e Devollit.

Librazhd, i bllokuar një fshat
LIBRAZHD – Fshati Bërzeshtë i komunës Qukës të rrethit të Librazhdit ka që në fillimjavë që është bllokuar për shkak të dëborës dhe ngricave. Banorët janë detyruar të ecin në këmbë përreth një orë e gjysmë, për të transportuar për në banesat e tyre konsumin e përditshëm. Shefi i Shtabit të Emergjencave Civile, Mustafa Arapi, thotë se: “të gjitha rrugët rurale të komunës Qukës janë të hapura, ndërsa aktualisht problem mbetet vetëm fshati Bërzeshtë. Rruga automobilistike prej 3 kilometrash, e cila është shtruar falë një projekti të qeverisë shqiptare për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonës, sot është e bllokuar nga akulli dhe është ndërprerë komunikimi me qendrën e komunës”.

Shkodër, izolohen Vermoshi e Shala
SHKODER – Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit që kanë përfshirë vendin tonë, kanë shkaktuar vështirësi në një sërë rrugësh rurale të qarkut Shkodër. Një pjesë e mirë e rrugëve është e mbuluar nga akulli, duke sjellë vështirësi në qarkullim apo dhe zona të bllokuara, siç janë zonat e Vermoshit dhe të komunës Shalë. Të bllokuara nga dëbora vazhdojnë të jenë disa fshatra të zonës së Vermoshit, në komunën Kelmend-Malësi e Madhe, ku trashësia e dëborës në vendin e quajtur Gropat e Selcës e ka kaluar 1 m. Deri më tani nuk raportohet që banorët e zonave të kenë pasur problem në furnizimin me ushqime, të ngrohjes apo në raste urgjence për arsye shëndetësore.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura