Mançester Junajtid dhe Çelsi do zhvillojnë sot një përballje direkte, e cila pritet të vulosë titullin kampion në Angli. Nëse “djajtë e kuq” fitojnë, ose edhe barazojnë, janë shumë afër triumfit. Ndërsa blutë e Londrës duhet të marrin patjetër tri pikët, për të kryesuar renditjen, edhe pse do jenë me pikë të barabarta me ekipin e Fergusonit. Është golaverazhi ai që bën diferencën dhe Çelsi është i favorizuar në këtë aspekt. Trajneri i vendësve u është rikthyer taktikave të vjetra, duke vënë nën presion arbitrin e ndeshjes, Houard Ueb. “Jam i kënaqur nga kjo ndeshje, që do e gjykojë arbitri më i mirë në Angli. Nëse Ueb bën gabime, ose favorizon pa dashje Çelsin, do kujtohet në histori si gjyqtari që i hoqi titullin kampion Mançester Junajtid dhe kjo nuk është gjë e mirë. Duhet të jetë tepër i kujdesshëm”, deklaroi Aleks Ferguson. Tjetër gjë te londinezët. Në javët e fundit, Çelsi i Ançelotit ka bërë një ecuri mjaft pozitive, por trajneri italian rrezikon shkarkimin, nëse nuk fiton ndaj Mançesterit. “E di që drejtuesit mund të kërkojnë largimin tim nëse nuk e fitoj titullin kampion, por unë dua që t’i shikojnë gjërat në total. Kam shumë arritje pozitive. Gjithsesi, kam besim që skuadra do ia dalë mbanë, edhe pse luajmë në transfertë ndaj ekipit më të fortë në kampionat”, deklaroi Ançeloti.
Mançester-Çelsi
Formacionet e mundshme
Mançester J. (4-4-2): Van der Sar, Evra, Vidiç, Ferdinand, Rafael, Gigs, Karrik, Nani, Hernandez, Runi, Park.
Çelsi (4-3-3): Çeh, E.Kol, Terri, D.Luiz, Ivanoviç, Obi Mikel, Lampard, Esien, Kalu, Drogba, Maluda.
Blof i Totenhamit, humb edhe Siti
Totenham nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi ndaj Bllekpullit, për javën e 36-të të kampionatit anglez. Hotspur e ka parë veten në disavantazh për një moment, kur Çarli Adam realizoi me penallti. Por, Spurs nuk u dorëzuan dhe ia dolën të barazojnë me Defoe, por pa mundur të shkojnë më tej. Në fakt, ky barazim i leverdis më shumë Blekpullit, i cili po lufton për mbijetesë. Kurse Totenhamit iu zbehën shpresat për të luajtur në Champions League sezonin e ardhshëm. Në ndeshjet e tjera, Aston Vila barazoi 1-1 me Viganin, Boltoni u mund në shtëpi 1-2 nga Sunderlandi, Evertoni mundi Mançester Sitin, 2-1, Njukastëll mundoi po me këtë rezultat Birmingamin, ndërsa Uest Hami barazoi 1-1 me Bllekbërnin.
© Panorama.al











