Mançester-Barcelona, sfidë talentesh

May 25, 2011 | 10:01

Ndërsa nga finalja e “Wembley”-t na ndajnë vetëm 72 orë, statistikat tregojnë se ndeshja që do të përcaktojë fituesen e Ligës së Kampioneve këtë sezon, janë sulmi më i mirë kundër mbrojtjes më të mirë ose anasjelltas. Ndërsa Barcelona ka shënuar më shumë gola se çdo skuadër tjetër këtë sezon, Mançester Junajtid ka pësuar më pak. Një statistikë e tillë, tregon thjesht sesa e balancuar pritet të jetë kjo ndeshje. Barcelona ka shënuar 27 gola këtë sezon të Ligës së Kampioneve. Kjo shifër përkthehet mesatarisht në 2.25 gola për çdo ndeshje, nga 12 që kanë zhvilluar deri tani. 11 prej këtyre golave mbajnë firmën e tij, Lionel Mesit. Ylli argjentinas është gjithashtu golashënuesi më i mirë i kompeticionit. Duket se “Këpuca e Artë” në Europë, jo në Spanjë, sivjet do të jetë e sulmuesit katalanas, pasi ndjekësit e tij më të afërt, Samuel Eto (Inter) dhe Mario Gomez (Bayern Mynich) me 8 gola, nuk janë më në garë. Skuadra e dytë më e mirë në sulm është Reali i Madridit. Djemtë e Zhoze Mourinjos e kanë tundur rrjetën kundërshtare jo pak, por 25 herë. Krahasuar me këto dy gjigantë të sulmit, Mançester Junajtid ka shënuar vetëm 18 gola, një mesatare prej 1.5 golash për ndeshje. Junajtid ka vetëm një futbollist që hyn në 20 shënuesit më të mirë në Europë këtë sezon. Ai është Hernandez. Sulmuesi i talentuar meksikan në 10 ndeshjet e tij ka shënuar 4 gola. Po të krahasonim mbrojtjen e të dyjave skuadrave, Barcelona renditet e 8-a në tabelën e ekipeve që kanë pësuar më pak gola. Mançesteri është i pari. Djemtë e Sër Aleks Ferguson janë ndëshkuar më pak se çdo ekip tjetër këtë sezon. Skuadra e Guardiolës e ka nxjerrë topin nga rrjeta 8 herë në 12 ndeshjet e deritanishme, mesatarisht 0.67 gola për çdo 90 minuta. Nga ana tjetër, 3 herë kampionët e Europës në 12 ndeshje kanë pësuar vetëm 4 gola (0.33 gola për ndeshje).

Pyetet per Gigsin, Ferguson e censuron

Sër Aleks Ferguson ka kërkuar përjashtimin e një gazetari nga konferenca e fundit për shtyp përpara finales, vetëm sepse ai e pyeti për Gigsin. Këtij të fundit i doli emri në Parlamentin Britanik, si personi që ka pasur një lidhje jashtëmartesore me modelen uellsiane, Imogen Tomas, 48 orë më parë dhe është në qendër të një skandali. Ishte gazetari i “AP” Rob Harris, ai që nervozoi trajnerin gjatë konferencës, ndërsa e pyeti për rëndësinë e pjesëmarrjes së 37-vjeçarit në finale. “Të gjithë janë të rëndësishëm” – tha Fergi. Më pas ai i kërkoi drejtuesit të konferencës jashtë kamerave që të mos e lejonte gazetarin në daljen e fundit të tij 24 orë përpara ndeshjes.

Bundesliga, M’Gladbah apo Bohumi?

Bundesliga gjermane do të njihet sot me ekipin e 18-të të saj për sezonin 2011-2012. Kandidatët janë Mynshengladbah dhe Bohumi. Ndeshja e parë midis tyre ka përfunduar në fitore 1-0 të Borusias, por nesër (sot) do të zhvillohet ndeshja e kthimit, ku vendësit shpresojnë të përmbysin rezultatin e transfertës. Trajneri i Bohumit, Fridhelm Funkel shprehet se gjithçka është e hapur. “Natyrisht këtu varet e gjithë puna jonë. Humbja 1-0 në transfertë, rastisi e pafat për ne, pasi u ndëshkuam në sekondën e fundit. Në këtë duel vendimtar, çdo gjë është e hapur. Shpresojmë të bëjmë të njëjtën gjë”,- deklaroi trajneri Funkel.

© Panorama.al

Te lidhura