MAMURRAS- Banorët e Mamurrasit nuk e kanë votuar për një mandat të dytë kryetarin aktual të saj, Dedë Ndreca, përfaqësues i PS-së. Pas numërimit të votave, përgjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes së djeshme në KZAZ-në e Kurbinit, kandidati Ilir Pjetraj i “Aleancës për Qytetarin” ka qenë në avantazh me 3125 vota karshi Dedë Ndrecës, i cili kandidonte për një mandat të dytë. Ai arriti të siguronte 2978 vota. Situata jashtë KZAZ-së së Kurbinit përgjatë gjithë ditës së djeshme është përkufizuar si e tensionuar, ku përkrahës të të dyja palëve u përqendruan më shumë në kërcënimin e numëruesve, sesa në pritjen e rezultatit përfundimtar. Kjo ka bërë që komisioni i KZAZ-së të ndërpresë procesin e numërimit në orën 10:30 dhe të kërkojë nga policia që të largonte vëzhguesit e partive përkatëse, të cilët kishin filluar të kërcënonin njëri-tjetrin. “Molla e sherrit” duket se është bërë një votë që u cilësua si e pavlefshme nga Komisioni i KZAZ-së, kurse përfaqësuesit e kandidatit demokrat ngritën pretendimin se kjo votë ishte e tyre. Debatet e ashpra mes përkrahësve të partive kanë zgjatur për rreth 20 minuta dhe më pas policia ka mundur t’i nxjerrë ata jashtë qendrës së numërimit. Për shkak të kësaj situate, me një vendim të përbashkët, anëtarët e KZAZ-së mbyllën procesin e numërimit, për ta rihapur pas dy orësh, duke pritur qetësimin e situatës. Policia, nga ana tjetër është kujdesur për të larguar nga ambienti i jashtëm i KZAZ-së edhe simpatizantët, në mënyrë që të shmangej një përplasje e mundshme. Numërimi i votave ka nisur sërish në orët e vona të pasdites dhe përfundoi pas mesnate, duke shpallur kështu kryebashkiakun e ri të Mamurrasit, përfaqësuesin e PD-së. Gjatë gjithë natës, në këtë qytet, simpatizantët kanë festuar fitoren, ndërsa Pjetraj i ka falënderuar ata për besimin që i dhanë, duke u premtuar se do të punonte për zhvillimin e këtij qyteti. r.n











