Malaj: Rama duhet ta miratonte Paktin në Asamblenë e PS

Sep 26, 2011 | 10:49

Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, në një intervistë ekskluzive për “Panorama” shprehet se pakti i propozuar nga kreu i PS duhet të ishte diskutuar dhe miratuar më parë nga Asambleja Socialiste. “Një propozim i tillë  duhet të kishte një proces sa më transparent, sa më gjithëpërfshirës dhe duhej të zyrtarizonte në publik vullnetin e qartë të PS. Ai duhet të diskutohej dhe miratohej nga Asambleja Kombëtare e PS-së. Mungesa e këtij procesi cenon kredibilitetin e propozimit dhe minimizon shanset  për realizimin e tij”, shprehet Malaj në intervistën e tij.
I pyetur rreth një shtrëngimi duarsh të refuzuar mes Ramës dhe Berishës para ambasadores gjermane në Tiranë, Malaj shprehet se një gjest i tillë është sjellja më minimale mes dy politikanësh, ndërsa sjell në vëmendje qëndrimet e udhëheqësve të vendeve të konsoliduara demokratike, ku Barak Obama luan golf me kreun e opozitës në kulmin e debatit për borxhin publik amerikan. Anëtari i kryesisë së PS analizon dhe situatën e brendshme në këtë parti. Sipas tij, po vërehet në zgjedhjet e strukturave lokale një frymë spastrimi që sipas tij sjell kosto politike dhe elektorale.
Propozimet për përjashtimin e deputetëve Harasani dhe Islami, Malaj i cilëson të pakuptimta. Sipas tij, dy deputetët nuk kanë bërë asnjë votim që do të shkonte në favor të maxhorancës, ndërsa e cilëson sjelljen e tyre një kurajë politike për të përmbushur mandatin e marrë.
Zoti Malaj, kryetari i PS, zoti Rama, paraqiti pak ditë më parë një platformë bashkëpunimi me maxhorancën të emërtuar “Pakti për Shqipërinë si gjithë Europa” në 10 pika. Mendoni se ky pakt, që do të çojë politikën përpara në integrimin e vendit, erdhi i vonuar, pasi të gjitha hapësirat kohore për të marrë ftesën e vendit kandidat në BE janë ezauruar, ndërsa shansi për të treguar bashkëpunim në Kuvend ishte të enjten me votimin e ligjeve me 3/5?
Vendi e ka humbur mundësinë e statusit kandidat të BE-së. Për fat të keq, siç duket edhe nga deklaratat mediatike, kemi fituar një mundësi të re për një luftë të re, për këtë dështim jo të ri. Maxhoranca nuk është e sinqertë, kur deklaron se votimi i të enjtes do të hapte rrugën për statusin e vendit kandidat. Qeveria e di shumë mirë se vendimi paraprak ka kohë që qarkullon në kancelaritë europiane. Dështimi ynë nuk është dështim i ditëve të fundit, por i disa viteve të fundit. Kjo e bën më të trishtueshëm këtë dështim. Një pakt kombëtar midis partive politike nuk mund të jetë një propozim individual dhe në mënyrë spontane. PS dhe vendi kanë ekspertë shumë të mirë, të cilët mund të qartësojnë reformat konkrete dhe një kalendar të implementueshëm për prioritetet kombëtare. Një propozim i tillë duhet të kishte një proces sa më transparent, sa më gjithëpërfshirës dhe duhej të zyrtarizonte në publik vullnetin e qartë të PS. Ai duhet të diskutohej dhe miratohej nga Asambleja Kombëtare e PS-së. Mungesa e këtij procesi cenon kredibilitetin e propozimit dhe minimizon shanset për realizimin e tij. “Shqipëria si gjithë Europa” mund të bëhet vetëm me një mentalitet europian, ku vendet ndajnë sovranitetin e tyre për t’u bërë pjesë e bashkësive më të mëdha dhe më moderne. Ndërsa kryetarët e partive tona nuk i japin publikisht as dorën njëri-tjetrit.
Pritet që më 12 tetor, Komisionin Europian të penalizojë sërish Shqipërinë, duke mos i dhënë ftesën e vendit kandidat. Sipas jush, cilat janë përgjegjësitë e maxhorancës dhe opozitës në këtë dështim të politikës shqiptare?
Kjo maxhorancë ka dështuar në mënyrë të përsëritur për të merituar statusin e vendit kandidat të BE-së. Maxhoranca është përgjegjëse për krizën institucionale shumëdimensionale dhe për  keqqeverisjen e vendit, është përgjegjëse për pandëshkueshmërinë e korrupsionit dhe kapjen e shtetit, është përgjegjëse për  dëmtimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, është përgjegjëse për dëmtimin e standardeve të zgjedhjeve nëpërmjet  keqpërdorimit elektoral të administratës publike dhe financave publike. Maxhoranca është përgjegjëse për tensionimin në mënyrë të përsëritur të ambientit politik dhe sidomos të debatit parlamentar. Opozita me bojkotin e Parlamentit dhe disa qëndrime radikale, ka rritur temperaturën politike dhe nuk ka ofruar një zgjidhje për daljen e vendit nga kriza.
Drejtues të PS, përfshirë zotin Rama, janë shprehur për një kurs të ri politik të kësaj force politike, ndërkohë që zoti Rama dhe Berisha nuk gjetën kurajën të shtrëngojnë simbolikisht duart para ambasadores gjermane. Kemi një klimë të re në marrëdhëniet maxhorancë-opozitë?!
Përherë jam shprehur kundër shfaqjeve të tilla. Dhënia e dorës, takimet publike, ulja në tryezat e diskutimeve për sfidat e vendit, duhet të jenë detyrimet minimale të çdo politikani.   Shqiptarët me njëri-tjetrin nuk janë kaq armiqësorë, si në takimet publike, ashtu edhe në jetën e përditshme. Ne duhet të reduktojmë në maksimum çdo frikë dhe pasiguri tek shqiptarët nga agresiviteti i të bërit politikë. Presidenti Obama në kulmin e debateve për krizën e tavanit të borxhit publik të SHBA-së, ftoi për golf kryetarin e shumicës republikane, edhe pse qëndrimet e tyre strikte partiake për rrugët e uljes së deficitit dhe borxhit vazhdonin të tilla para edhe pas golfit. Politikanët modernë janë gjithmonë disa hapa përpara publikut të vendit të tyre në uljen e tensioneve dhe modernizimin e kulturës politike. Në këtë rast duket se disa nga politikanët tanë kanë mbetur disa hapa pas.
Pas humbjes së Bashkisë së Tiranës, mungon një analizë e plotë në Kryesinë apo Asamblenë kombëtare të PS për këtë rezultat, madje Kryesia e PS është zëvendësuar me mbledhjet e Kryesisë së Grupit dhe kryetarëve e nënkryetarëve të komisioneve parlamentare. Pse  mungon kjo dhe a shihni reflektim ndaj atyre gabimeve në drejtimin e PS nga zoti Rama, tani që është në opozitë të plotë?
Koha është relativisht e shkurtër, ndërsa veprimet e deritanishme, sidomos në proceset zgjedhore në PS, duket se rrezikohen seriozisht nga tendenca spastruese. Vendi ka nevojë për të ndalur keqqeverisjen dhe duhet të dalë sa më parë nga kriza. Kjo është e mundur vetëm nëse PS do të rritet vetë dhe njëkohësisht, nëse kjo rritje do të jetë cilësore. Çdo tendencë individuale për t’u ndier sa më i plotfuqishëm në të gjithë nivelet organizative të PS, duke i riorganizuar ato me komandim apo delegim pushteti abuziv në pak duar, e dëmton rëndë PS-në. Kjo e vërtetë e hidhur duhet thënë tani, koha që na ka mbetur për të fituar dhe për të qeverisur ndryshe vendin, bëhet gjithnjë e më e shkurtër.
Mungesa e një analize për humbjen, por dhe mënyra se si trajtohen propozimet tuaja për të hapur dhe demokratizuar PS, tregojnë se asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrën se si drejtohet kjo parti.
Vendi ka nevojë për një model te ri politik. Këtë proces modernizues të politikes shqiptare duhet të nxisë PS dhe ajo vetë duhet të krijojë modelin më të mirë. Spontaniteti me forumin e rinisë dhe gruas, sidomos veprimet e ditëve të fundit me të rinjtë, për t’i çorganizuar si strategjia më e mirë për t‘i demotivuar, është akoma më shqetësuese. Meritokrokracia po zëvendësohet me klientelizëm dhe servilizëm, kjo dëmton rëndë deri rrënjët e PS-së. Ky mentalitet ka 6 vjet që dëmton efikasitetin elektoral të forumeve të rinisë dhe gruas. Sikur të mos mjaftonin analizat tona publike, shqetësimet gjenden të shprehura deri në kabllogramet e Ambasadës Amerikane, ku mosorganizimi i FRESSH-it vlerësohet si pjesë e mentalitetit të lidershipit të PS-së, jo si pamundësi organizative. Ky mentalitet prodhon vetëm zhgënjime dhe kosto elektorale. PS nuk e meriton që nga një parti e njerëzve të përkushtuar të shndërrohet në një parti të kryetarit, nga një parti e promovimit të demokracisë, barazisë së mundësive dhe meritokracisë, në një parti ku po rritet influenca negative e klientelizmit politik, nga një parti e anëtarëve të saj me demokraci të drejtpërdrejtë, në parti e individëve me pushtet të deleguar. Eliminimi i këtyre tendencave negative duhet të jetë në themel të modernizimit të saj.
Nisur nga botimet e WikiLeaks, në një nga pikat e paktit të propozuar nga zoti Rama kishte një kërkesë për hetim të të gjithë deputetëve dhe njerëzve me imunitet që përmendeshin në kabllogramet të lidhur me krimin dhe korrupsionin. Mendoni se kemi të bëjmë me një përpjekje për katarsis dhe brenda PS?
Keqpërdorimi dhe jo mirëpërdorimi me seriozitet dhe përgjegjësi i analizave e raporteve ndërkombëtare ka mbisunduar politikën tonë gjatë këtyre 20 vjetëve.
Mendoni se në këtë drejtim do të ndihmonte ligji “Për heqjen e imunitetit të deputetëve”, ligj që ka vite që diskutohet dhe komentohet korridoreve dhe komisioneve të Kuvendit?
Lidhur me imunitetin tonë si deputetë, shembulli pozitiv i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është imponues për të ndërmarrë  reformat tona në këtë drejtim. Kufizimi i imunitetit të deputetëve sipas modelit të Kosovës, është një mundësi konkrete për të ndalur grindjet dhe demagogjinë midis partive politike dhe për të eliminuar vonesat tona të përsëritura.
Në këtë aspekt, çfarë mund të bëjë kongresi i PS, ndërkohë që debati i hapur apo i fshehtë në PS bëhet nëse duhet të përjashtohen nga PS disa individë që thyen bojkotin e zgjatur të PS, ndërsa pastërtia dhe morali në politikë nuk trajtohet në asnjë tryezë?
Vullneti i tepruar për të përjashtuar dy kolegë thjesht pse përmbushën tre muaj më parë se të tjerët detyrimin për të ndalur bojkotin e Parlamentit, është jo vetëm politikisht i pakuptueshëm. Islami dhe Harasani nuk kanë bërë asnjë votim politik për t’i zgjatur jetën qeverisë Berisha, ata janë kritikë për dështimet e saj dhe kanë paralajmëruar dështimin e vendit në përfitimin e statusit kandidat. Me ndërprerjen e bojkotit, PS po shkon e vonuar tek qëndrimi i jo pak kolegëve. Kjo rrëzon çdo argument penalizues ndaj tyre dhe ndaj çdo mendimi ndryshe. Minimalisht kolegët duhen vlerësuar për kurajën në përmbushje të mandatit politik. Disiplina formale është alibia më e madhe për të fshehur dështimet e mëdha. Mungesa e kurajës për të pranuar dështimet, rrit riskun e përsëritjes së tyre dhe rriskun e dështimeve tona të përbashkëta. Jo rastësisht Gëte, midis  humbjes së parave, humbjes së nderit dhe humbjes së guximit, konsideronte humbjen më të madhe, humbjen e guximit.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura