
Anëtari i Kryesisë së PS analizon zhvillimet politike.
“Jo garë kush i jep firmën Nanos, por të korrigjojmë diçka që kemi bërë gabim”
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, mbështet kandidatiurën e Nanos për President dhe apelon që të mos përsëriten gabimet e 2007-s. I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, në News 24, Malaj e cilësoi çregjistrimin e Kastriot Islamit njerëzisht të trishtueshëm dhe politikisht të dëmshëm.
Në opinionin publik u lexua se Rama bëri një diversion te LMN-ja, ju dhe Blushi u përfshitë në Kryesi, ndërsa Islamin dhe Harasanin i centrifugoi. Cila është e ardhmja e LMN-së?
Mbi të gjitha është e rëndësishme sa i dobishëm është mendimi ndryshe në politikën shqiptare dhe në PS. Bashkë me kolegët ndihem mirë që i gjithë debati publik që kemi bërë, të paktën nuk ka rezultuar në një debat individësh. Kur ne kërkonim që PS-ja të ndalte bojkotin, kjo ishte ajo që duhej të bëhej, madje duhej të bëhej më shpejt. Kur ne kërkonim që PS-ja nuk duhej të radikalizohej, nuk ishte rruga e radikalizmit ajo që na krijon avantazhin publik, tani është kthyer në një mënyrë sjelljeje. Kur ne theksonim qartë që suksesi ynë duhet të vijë nga avantazhet tona, besoj që kështu duhet të vazhdojë. Ne duhet të jemi më të qartë me pikat tona më të forta krahasuar me PD-në dhe jo thjesht të presim dështimin apo përçarjen e saj. E dyta, sa i përket këtij perceptimi, unë kam qenë shumë i qartë publikisht. Nuk kam komunikuar me publikun duke i kthyer kurrizin në ndonjë takim tet a tet me zotin Rama.
E keni fjalën për Blushin…
Secili ka të drejtë të ketë individualitetin e tij. Mua më ka pëlqyer në politikë të jem i drejtpërdrejtë. Nuk më ka pëlqyer të krijohet ideja se ka disa marrëveshje të fshehta mes individëve apo mes grupeve në politikën shqiptare apo në PS. Unë mendoj dhe vlerësoj se opinioni nuk ka nevojë të krijojë teori konspirative se diçka e madhe po ndodh, dy-tre veta mund të vendosin gjithçka çfarë do ndodhë në Shqipëri apo në rajon. Njerëzit kanë nevojë për më shumë transparencë, me ta duhet folur drejtpërdrejt, u duhet dhënë mirënjohja për mbështetjen që i japin forcës politike dhe si politikanë duhet rritur përgjegjshmëria për atë që duam të bëjmë.
Kishit kohë pa shkelur në Kryesi, edhe ajo nuk ishte mbledhur. Para se të bëhej kjo zgjedhje, Rama ka komunikuar me ju që jeni pjesë e projektit të tij?
Mundësia për të qenë kryetari i një partie, nuk është element pronësie, por detyrimi. Nuk duhet të ushqejmë idenë që një lider i caktuar politik në PD apo në PS paska të drejtën e pronësisë të ftojë apo të largojë. Ajo që duhet të bëjë, është të respektojë kontributet, angazhimet, përgjegjshmërinë. Marrëdhënia ime me PS-në dhe Grupin Parlamentar ka qenë korrekte në çdo kohë. Debati publik ka qenë në të mirë të PS-së dhe koha e ka vërtetuar. Unë ndihem i gëzuar bashkë me ekipin e të rinjve dhe kolegëve në PS, Harasani, Islami, Pino, Ulqini, Zela, Haxhiymeri, Stafa, por edhe me shumë të rinj që studiojnë në Shqipëri, sepse rrjetet sociale janë shumë të mira për të qenë në kontakt, që disa nga idetë tona gjithnjë e më tepër po gjejnë vend. Para pak ditësh është prezantuar në publik një iniciativë e re civile, për një ndërgjegjësim civil që është Aleanca Civile, e cila në disa nga propozimet e saj ka edhe një propozim tonin kryesor, për të cilin ne kemi bërë debat shkurtimin e mandateve, ku një person rri në të njëjtën karrige për një kohë të gjatë dhe reduktimin e pushteteve të përqendruar në pak duar. Ne kemi bërë një debat publik, që është në shërbim të vendit dhe i bën mirë edhe PS-së për t’u orientuar me strategji fitoreje, me ide të reja dhe avantazhe publike.
Gjatë 2-3 viteve keni sulmuar Ramën si njeri autoritar dhe që e çon në humbje PS-në. A mendoni se ka ndryshuar pas zgjedhjes suaj në Kryesi?
Në angazhimin tim publik unë nuk merrem me individë, por me fenomene. Fakti që në një vend si Shqipëria, i njëjti person që nis tranzicionin në 1991, është aktualisht figura kryesore e politikës shqiptare, ku nuk e gjen këtë në asnjë vend…
Gjersa votohet…
Këtë dua të theksoj. Po të jetë për numra statistikorë, edhe cilësia e fitores është e dyshimtë. Problemi është që nuk ka njeri të veçantë. Nuk besoj se personalitete të tjera, si Havel apo të tjerë të Europës Juglindore, nuk kishin këtë format. Ai që çalon është standardi i demokracisë.
Kthehemi te pyetja atëherë…
Sfidat që ka PS-ja kërkojnë që të veprohet me frymën e një ekipi. Palët duhet të njohin problematikën, të respektojnë njëra-tjetrën dhe s’ka nevojë për një dashuri individësh, por për përgjegjësi individësh brenda një projekti të përbashkët politik.
Mbledhja e parë e Kryesisë jua krijoi këtë përshtypje?
Takimi im me Ramën ka qenë edhe para formatimit të Kryesisë. Ka qenë për pjesën e ligjeve themelore, që diskutohen në Parlament.
Jeni takuar para zgjedhjes së Kryesisë?
Në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ne nuk kemi qenë të padisponueshëm për t’u takuar. Problemi është që njerëzit takohen jo thjesht për të krijuar një lajm, por për të diskutuar për një sfidë.
Si e vlerësoni çregjistrimin e zotit Islami nga Grupi Parlamentar socialist?
Do t’i përmbahem të njëjtit përcaktim që kam bërë edhe në Kryesinë e PS, edhe në Grupin Parlamentar; njerëzisht i trishtueshëm dhe politikisht i dëmshëm. Pse njerëzisht i trishtueshëm? Sepse ka disa personalitete në Partinë Socialiste, siç janë Islami, Lakrori, Ruka, Meidani, duke vënë vlerësimin maksimal të themeluesve të PS, Nano, Pëllumbi, Dokle etj., të cilët morën përsipër modernizimin e njërës prej partive më të mbyllura, të cilën e arritën brenda një kohe relativisht të shkurtër, kur PS u provua, u testua në qeverisjen e saj 8-vjeçare, si një parti demokratike dhe europiane. Specifika e Islamit, apo Ruka, Meidani e Gjinushi nga ana tjetër ishte se ata ndryshuan drejtimin e jetës së tyre. Në një moment që ishin në një karrierë të shkëlqyer akademike brenda dhe jashtë vendit, në një periudhë të caktuar këta politikanë morën përsipër të modernizonin një nga partitë më të mëdha politike në vend dhe mendoj se e kanë arritur në mënyrë të suksesshme. Në momentin që i përkushtohesh diçkaje, kur nuk është e vetmja mundësi që të merresh me politikë dhe krijon diçka të vlefshme për vendin, patjetër që meriton një vlerësim dhe mirënjohje të përhershme. Dhe sigurisht brenda kësaj mirënjohjeje duhet dhe një trajtim i kujdesshëm për çdo rast, që për këndvështrime të ndryshme, krijohen dhe probleme me liderpshipin e PS. Prandaj them që për mua, që jam rritur në atë parti, nga ana njerëzore është e trishtueshme. Pse është e dëmshme nga pikëpamja politike: nuk është disiplina formale ajo që na rrit efektivitetin tonë. Unë mendoj se duhet një fleksibilitet më i madh në partitë tona. Ne duhet të flasim dhe s’duhet t’i përmbahemi qëndrimit se po folëm ne në popull, publiku çoroditet. Unë nga përvoja dhe eksperienca kam mësuar se votuesit shqiptarë janë njerëz të mençur, mirënjohës, dinë të dallojnë pragun e debatit, dinë se kur debati është i dobishëm dhe kur jo. Nuk mendoj se një debat i hapur publik, si në PS ashtu dhe në PD qenka i dëmshëm dhe hajde të vendosim një qetësi formale për shkak të një disipline formale në parti.
A ndani të njëjtin opinion me ish-presidentin Meidani se ‘zoti Rama nuk është njeriu i duhur për të bashkuar të majtën’ dhe se ‘e majta e përçarë mbetet sërish në opozitë’?
Unë po i përmbahem faktit se që të fitojmë, ne duhet të rritemi si PS, që të krijojmë një koalicion qeverisës, ne duhet patjetër të zgjerohemi. Koalicioni duhet të vijë nga partitë e të njëjtit spektër, sepse kjo të lehtëson të bësh një program, pra duhet bërë një koalicion që të qeverisësh dhe jo një koalicion për të mbijetuar si koalicioni aktual.
Duhet një koalicion dhe me LSI-në?
Unë e kam thënë se koalicioni me LSI nuk duhet parë thjesht e vetëm për të fituar zgjedhjet dhe pastaj të ndodhë çfarë të ndodhë. LSI nuk duhet parë thjesht si përplasje apo mospërputhje individësh. Askush nuk e mohon se LSI është një forcë e majtë, ku pjesa më e madhe e votuesve të saj janë ish-anëtarë të PS. Pra për mua nuk duhet ta imponojmë LSI-në që të shohë një terren të pamundshëm për bashkëpunim për zgjedhjet e ardhshme apo të afrohet përjetësisht me PD-në. Pra e shoh si një proces që duhet parë në dinamikën e tij, por jo gjithmonë si mundësia e vetme që mund të na sjellë në pushtet, që të biem prapë në një koalicion numrash.
Pra, një derë e hapur për LSI…?
Në politikë thuhet që “kurrë mos thuaj kurrë”.
Zoti Nano ka shpallur ambicien e tij për të qenë kryetar i shtetit, e mbështesni?
E para, një nga problemet e mëdha që ka vendi janë institucionet. Deri në zgjedhjen e Presidentit të ri kemi një vit kohë, çka do të thotë se debati është pak i parakohshëm. E dyta, deklarata e Nanos që afron mundësinë për të qenë President i ardhshëm i vendit, për mua nuk kishte në thelbin e tij idenë që të krijonte një temperaturë të ngritur politike dhe aq më pak grindje në PS. E treta, ajo që dallon Nanon nga kandidaturat potenciale që do të shfaqen me kalimin e javëve, është se ai në momente kritike ka marrë risk për të shtensionuar politikën shqiptare, që duhet të jetë një nga tiparet kryesore të një Presidenti konsensual.
Partia Socialiste dhe Grupi i saj Parlamentar duhet ta mbështesin kandidaturën e Nanos, nëse ai ju kërkon firmën?
Individualisht, është një gjë që e kam bërë të qartë, por problemi është jo të bëjmë garë kush i jep firmën Nanos, por të korrigjojmë diçka që ndoshta herën e parë e kemi bërë gabim. Për të mbështetur kandidatura nuk duhet të ketë një formulim strikt partiak dhe të futemi në grindje kush ia dha dhe kush nuk ia dha firmën Nanos. Kur vjen puna për një vendim politik, ne duhet të jemi totalisht të unifikuar. PS, ndryshe nga 2007, duhet të ulet dhe të analizojë përfitimet, kostot, mundësitë, risqet të cilat çojnë në opsionin që ne duhet të hyjmë me një kandidaturë të unifikuar si PS për President. Berisha le të vazhdojë të deklarojë se do ta marrë ai dhe do të marrë të gjitha pushtetet. Një nga arsyet që sot kapardiset Berisha se ka marrë të gjitha pushtetet, ishte dhe gabimi i pranuar që ne bëmë me ndryshimet kushtetuese të 2008-s. Prandaj reformat e mëdha politike nuk bëhen pa transparencën publike dhe pa një ekspertizë të kualifikuar.
ILIR BABARAMO
© Panorama.al











