Malaj: Po pengojmë eksportimin e vlerave europiane në politikën tonë

Nov 4, 2011 | 11:10

Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, e lidhi çështjen e importit të mbetjeve dhe me pastërtinë e mjedisit politik shqiptar. “Ky debat sot, për të rrëzuar dekretin e Presidentit, për të shpërfillur shqetësimin e opinionit publik, ku në qendër të kësaj kërkese janë edhe dy ish-presidentët e vendit, për të mos dëgjuar shoqërinë civile, për të injoruar shqetësimet e opozitës për një debat që është i nxehtë në çdo vend europian, vetëm e rëndon krizën aktuale politike. Ne nuk jemi jashtë Europës se po pengojmë të huajt të eksportojnë mbetje në Shqipëri, por sepse po pengojmë eksportimin e vlerave më të mira europiane në politikën shqiptare”, u shpreh dje Malaj gjatë fjalës së tij në Parlament. Sipas tij, politika duhet ta shohë çështjen e mbetjeve të rrezikshme me shumë seriozitet. “Ne nuk duhet ta kthejmë këtë debat për shqetësimet për risqet kriminale të bizneseve të tilla në një debat për marksistët apo çunat e bllokut. Ky debat kërkon një seriozitet dhe shqetësim maksimal.
Nuk po diskutojmë për disa qindra mijë tonë mbeturina, por diskutojmë si 20 miliardë euro në tregun mafioz të mbetjeve të mos blejnë teknokratët e qeverisë dhe politikanët tanë”, u shpreh Malaj. Ish-ministri socialist i Financave kërkoi ligje të zbatueshme në vend. “Ne nuk vuajmë nga mungesa e ligjeve, por nga zbatimi i dobët i tyre. Ne nuk mund ta fshehim se edhe pas 20 vjetëve ne kemi akoma institucione të dobëta”, u shpreh Malaj. Duke shprehur votën e tij kundër deputeti socialist tha se është në krah të shoqërisë civile. “Do të votoj kundër dhe do të mbështes Presidentin e Republikës, do të mbështes ish-presidentët e vendit tim, do të mbështes ekspertët më të mirë të vendit tim që janë kundër në mënyrë aktive në median e shkruar dhe vizive, do të mbështes shqetësimin dhe protestën e shoqërisë civile”, u shpreh Malaj.

© Panorama.al

Te lidhura