Deputetët socialistë, Arben Malaj dhe Andis Harasani, e cilësojnë vendim personal dhe qytetar dorëheqjen e kreut të PS së Tiranës, Besnik Baraj, por kërkojnë një proces transparent zgjedhjesh.“Unë dua të bëj një vlerësim të plotë për kolegun e për përkushtimin politik dhe për profilin e tij publik dhe vlerat njerëzore që përfaqëson dhe për profilin e tij akademik. Është një njeri që i përmbledh të tria këto vlera, të cilat i jepnin një staturë si kryetar i PS së Tiranës. Sigurisht, dorëheqja është një akt individual dhe qytetar. Është një veprim që ndodh rrallë në politikën shqiptare, sigurisht ndoshta tani që ka filluar procesi zgjedhor duket se i ka paraprirë një procesi të qetë në zhvillimet politike në qytetin e Tiranës. Mbetet për t’u parë nëse pas dorëheqjes së tij do të suportohet një proces sa më transparent dhe konkurrues në PS Tiranë, apo do të jetë mbisundues ajo që realisht konstatohet, një vullnet i tepruar për të krijuar një qetësi artificiale, duke krijuar idenë se kjo është ajo që i duhet PS”, u shpreh Malaj në një prononcim telefonik. Anëtari i kryesisë socialiste kërkoi që gara për kreun e PS së Tiranës të jetë e hapur dhe konkurruese. “Mbetet për t’u sqaruar nëse është komandim i përkohshëm apo është komandim dhe zoti Tahiri do të jetë pjesë e garës për vendin e kryetarit të PS Tiranë dhe do të ishte më korrekte e më demokratike, që çdo koleg që do të kishte ambicie, të kalonte përmes një gare të barabartë dhe konkurrente, të mos jetë pjesë e komandimit, por e një gare sa më transparente dhe më produktive”, u shpreh Malaj. Ndërsa deputeti Andis Harasani kërkon që ndjenjën e përgjegjësisë për humbjen e Tiranës ta shprehë kreu socialist, i cili ishte dhe kandidat në garë. “Natyrisht, të gjithë kanë përgjegjësi, unë kam përgjegjësitë e mia, si dhe çdo deputet i Tiranës. Sa herë bie fjala për përgjegjësitë, më kujtohet artikulli më i mirë që zoti Rama ka bërë pas humbjes së 2005-s, kur thoshte se ‘në zgjedhje ka vetëm dy rezultate; kur fiton, meritën e ka i gjithë ekipi dhe, nëse humb, përgjegjësinë e ka kandidati’”, u shpreh Harasani.
Ai e sheh komandimin e deputetit Tahiri si një detyrë për të përgatitur procesin zgjedhor në Tiranë. “Mbetet për t’u sqaruar nëse është komandim i përkohshëm apo është komandim dhe zoti Tahiri do të jetë pjesë e garës për vendin e kryetarit të PS Tiranë dhe do të ishte më korrekte e më demokratike, që çdo koleg që do të kishte ambicie, të kalonte përmes një gare të barabartë dhe konkurrente, të mos jetë pjesë e komandimit, por e një gare sa më transparente dhe më produktive”, u shpreh Harasani. Vetë Besnik Baraj, dje gjatë një prononcimi për mediat, u shpreh se vendimi i dorëheqjes ishte individual. “Është një vendim personal. Them se mund të kisha bërë më shumë për mundësinë e minimizimit të manipulimit të zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë”, u shpreh Baraj.
Klosi shkarkon kreun e PS
Sekretari organizativ i PS, Blendi Klosi, ka komunikuar shkarkimin e kreut të PS së rrethit Kuçovë, Arben Dosti dhe komandimin në vend të tij të Vangjel Shytit, 65 vjeç, në krye të kësaj dege. Dy muaj më parë, gjatë një takimi të Edi Ramës me strukturat e PS në Berat, Dosti ka analizuar arsyet pse PS humbi disa komuna dhe bashki. Dosti ka akuzuar Ramën për kandidaturat që ai ka çuar në këtë rreth, ku ka injoruar mendimin e bazës dhe strukturave socialiste. Dje, sekretari organizativ, Klosi, u ka komunikuar strukturave zëvendësimin e Dostit për shkak të dorëheqjes së tij, dhe ka komanduar Shytin, dikur kryetar i Bashkisë së Kuçovës, në vitet 1991-1994. Kjo ka acaruar anëtarët e asamblesë së rrethit, ku debati është zhvilluar me tone të larta dhe akuza ndaj kreut të PS, se po shkatërron strukturat socialiste.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











