
Dade e Fino kërkojnë bojkot. Rama: Qeveria na bën diversion me Nanon.
Deputeti: Pse ne nuk kemi akademikë e juristë të zotë?
Para nisjes së seancës së paradites, Partia Socialiste mblodhi Grupin e saj Parlamentar. Në këtë mbledhje, Gramoz Ruçi dhe Edi Rama i kanë informuar deputetët rreth takimit të një nate më parë me Berishën, Metën dhe Idrizin. Sipas tyre, qëndrimi i maxhorancës ndaj kandidaturës së Nanos është tallës, ndërsa përpiqet të penalizojë PS për moskandidimin e tij. Gjatë mbledhjes deputetët socialistë kanë diskutuar rreth qëndrimit që kjo parti duhet të mbajë në seancën e Parlamentit. Anëtari i Kryesisë, Arben Malaj, ka kritikuar pozicionin e lidershipit të PS në negociata. Sipas Malajt, nëse Berisha nxori një listë me emra, PS hezitoi vazhdimisht dhe nuk mundi të promovonte askënd, as nga politika, as nga media, as nga jurisprudenca apo fusha të tjera, dhe mbetëm të ngulitur vetëm te pjesa e procesit. “Pse nuk paska PS akademikë të shquar, politikanë të spikatur, juristë të zotë dhe me kontribute etj? Ne me emrat tanë duhet të ishim pjesë e votimit dhe e garës”, mësohet të ketë thënë Malaj. Sipas tij, Kushtetuta nuk kërkon përjashtim nga gara kur nuk ke vota. “Vërtet ne nuk kemi vota, por Kushtetuta nuk parashikon që të hysh në garë për zgjedhjen e Presidentit vetëm kur ke vota, por dhe kur nuk i ke ato. Prandaj është dhe votim i fshehtë, që ajo votë të jetë e përgjegjshme nga ana e deputetit. Nëse ne nuk kemi kandidat, deputetët nuk kanë alternativë për të mos votuar kandidatin e tyre”, mësohet të ketë thënë Malaj. Në mbledhjen e djeshme u hodhën propozime që të bojkotohej seanca, pasi në raundin e katërt Presidenti zgjidhej vetëm me votat e maxhorancës. Bashkim Fino dhe Arta Dade kanë kërkuar që PS të mos jenë në sallë, pasi maxhoranca nuk e përfshiu asnjëherë PS si pjesë të procesit. Por deputeti Malaj ka kërkuar që PS të jetë në seancë, madje të mos bojkotojë as komisionin e votimit.
“Të marrim pjesë në votim, të mos e bojkotojmë seancën, të marrim pjesë në komisionin e votimit që të garantojmë votën, sepse nëse mungojmë në këtë komisionin, kjo do të ketë konotacion negativ për zgjedhjet e ardhshme dhe për garantimin e votës”, mësohet të ketë thënë Malaj. Në fund, kreu socialist ka kërkuar pjesëmarrje të deputetëve të PS në seancë, por pa votuar.
Nano
Kreu i PS-së, Edi Rama, i ftuar dje në “Top Story” gjatë kohës që në Parlament ishte shpallur tërheqja e Artan Hoxhës nga gara, ka ripërsëritur faktin se PS nuk mund ta kandidojë Fatos Nanon për President për sa kohë që ky i fundit nuk është një kandidat konsensual. Sipas Ramës, Nano po përdoret dhe po tallet nga qeveria, e cila po bën diversion me të. “Me Fatos Nanon qeveria po bën diversion dhe po tallet. Ne e kemi thënë me kohë dhe këtë ia kemi thënë në sy edhe Fatos Nanos, që mund ta konsideronim si kandidat nëse do të ishte konsensual. Fatos Nano nuk mund të jetë kandidat i PS-së, sepse ne kemi pasur një parim në këtë proces dhe nuk mund ta thyejmë këtë parim. Nuk mund të përfytyrojmë një garë absurde kur ne në Parlament jo vetëm që nuk kemi numrat, por, nga ana tjetër, jemi shprehja e vetëdijes europiane të këtij vendi. Unë jam koherent me qëndrimin tim: Fatos Nano ka ikur me kohë nga PS dhe ka bërë zgjedhjen e tij për të qëndruar mbi dhe mes palëve. Ne kemi mbajtur një qëndrim të ndershëm ndaj tij. Në rast se vetofrimi i Nanos do të gjente konsensus mes palëve, ne nuk do të ishim kundër. Diversioni i qeverisë me Fatos Nanon nuk mund të na kushtëzojë dhe nuk mund të pengojë fitoren e socialistëve, pa u kushtëzuar nga askush”, u shpreh Rama.
Votimi i Nishanit, Rama merrej me skenografinë e FRESSH-it
Kryesocialisti Rama nuk e ka ndjekur direkt votimin e kandidatit të vetëm për President, Bujar Nishani, por është marrë me skenografinë e kongresit të FRESSH-it, i cili do të zhvillohet nesër në Tiranë. Kryesocialisti e ka konsideruar me sa duket pa shumë interes votimin e Nishanit, rrëzimi i të cilit do të çonte në raundin e pestë për një votim me 71 vota përsëri. Rama është i përkushtuar ndaj anës skenografike dhe imazhit të një aktiviteti të tillë, i cili nesër do të zgjedhë kreun e Forumit Rinor Eurosocialist. Pas një turi në 36 rrethe të vendit, gjashtë kandidatët e këtij Forumi prezantuan platformat e tyre, ndërsa në këto rrethe u zgjodhën drejtuesit lokalë të Forumit dhe delegatët për kongresin kombëtar. Bashkë me FRESSH-in, Partia Socialiste po ringre dhe Forumin e Gruas Socialiste, forum i cili po ngre bërthamat e veta në çdo qytet të vendit.
Sot, 21-vjetori i PS
Partia Socialiste do të festojë 21-vjetorin e saj. Sektori i organizimit të kësaj partie ka bërë të gjitha përgatitjet që kjo festë, e cila tradicionalisht është festuar në këtë parti, të mos humbë ngjyrat e saj, edhe pse nuk jemi në një vit elektoral. Sot pasdite, në lulishten e bar “Austria”, pranë selisë rozë, janë ftuar themelues, por dhe të rinj të kësaj partie të zgjedhur rishtas, por dhe kontribuues të saj ndër vite. Me interes pritet sot nëse do të marrë pjesë dhe Fatos Nano, pas vetofrimit të tij për President, por që PS nuk e mbështeti me firmat e deputetëve. Një vit më parë, në 20-vjetorin e krijimit të PS, u zhvillua një pritje e madhe në hotel “Sheraton”, ku pjesëmarrja ishte mjaft e madhe.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











