Malaj: Anëtarët e bordeve zgjidhen me telefonata

Sep 13, 2011 | 11:01

Komisioni i Ekonomisë zhvilloi dje mbledhjen e parë të këtij sesioni për të diskutuar rreth dy çështjeve: shqyrtimit të kandidaturës së Kestrin Katros për bordin e AMF-së, si dhe ndryshimet në Kodin Doganor. Lidhur me çështjen e propozimit të kandidaturave, opozita vuri theksin në transparencën e tyre duke i mëshuar faktit që duhet të vihet në funksion njoftimi publik. Deputeti Arben Malaj, në fjalën e tij, u shpreh se ka shumë institucione që janë dhe kushtetuese, që duhet të plotësojnë në kohë qoftë anëtarët, qoftë drejtuesit, qoftë dhe bordin, dhe them se shumë shpesh ne kemi krijuar vonesë. Kjo cenon efikasitetin. “Procesi i propozimeve ka mungesë transparence dhe mungesë trajtimi në mënyrë integrale. S’ka njoftim publik për anëtarët e bordit, më tepër zgjidhen me telefon, sesa me njoftime publike”, tha Malaj. Po dje u diskutuan edhe ndryshimet në Kodin Doganor, si një kërkesë e bërë kjo në Konferencën e Kryetarëve, për të diskutuar të gjitha kodet që kërkojnë 2/3 e votave. Por edhe në këtë pikë opozita parashtroi disa kërkesa përmes zëvendëskryetares së Komisionit, Mimi Kodheli. “Më lejoni të them së pari që ky është një material që daton më 24 prill 2009, pra daton shumë herët për t’u rimarrë në shqyrtim nga komisioni ynë. Ne propozojmë që kjo të rikthehet në ministrinë përkatëse. Minimalisht duhet të vijë si propozim i një ministri që tashmë nuk është Genc Ruli, meqë dokumenti mban emrin e tij. E dyta, ne jemi të informuar që po përpunohet i gjithë Kodi Doganor, bazuar, shpresoj, edhe në rekomandimet e Bashkimit Europian, që do të thotë që në qoftë se qeveria është duke punuar për ligjin e plotë mbi Kodin Doganor, kjo e bën pothuajse të pavlefshëm diskutimin”, tha Kodheli. Komisioni votoi pro kandidaturës së Kestrin Katros për anëtare bordi pranë AMF, ndërsa shtyu diskutimin për Kodin Doganor.

© Panorama.al

Te lidhura