Makinat pa targa, si do të përgjysmohet dogana

May 23, 2011 | 11:50

Ndryshe nga i gjithë ligji, për të përfituar nga amnistia fiskale, individët do të kenë më pak se sa 7 muaj kohë.Udhëzimi i Financave ka parashikuar 31 dhjetorin e këtij viti si afatin e fundit, kur individët do rivlerësojnë pronat e tyre dhe makinat e futura në vend pa doganë. Udhëzimi parashikon që pagesa e 50% të vlerës së doganës të bëhet në pikën doganore ku është futur mjeti. Për shtëpitë, rivlerësimi është vetëm 1 për qind. Por kaq edhe për tokat. Procedura e rivlerësimit bëhet në Zyrat e Hipotekave, sipas një vlerësuesi privat apo nga vetë punonjësit e Hipotekës.
Dogana e makinave
Nga amnistia, sipas udhëzimit do të përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët kanë në përdorim ose posedojnë automjete, të cilat janë futur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë përmes regjimit të lejimit të përkohshëm deri më 31 dhjetor 2010 dhe për të cilat kanë kaluar afatet ligjore të qëndrimit nën këtë regjim, duke mos e mbyllur atë dhe duke mos paguar detyrimet doganore ndaj administratës doganore. Nga kjo kategori do të përjashtohen të gjithë ata individë që deklarojnë pasurinë në ILDKP. Pra, që janë zyrtarë dhe paguhen nga buxheti i shtetit. Pjesa tjetër e individëve, duke paguar 50 për qind të doganës, mund të targojnë makinën. “Të gjithë përfituesit brenda datës 31 dhjetor 2011, të paraqesin zyrtarisht pranë degës doganore ku është çelur regjimi i lejimit të përkohshëm kërkesën për përfitim të bashkëshoqëruar me kopjen e mandatpagesës, që përfaqëson pagesën e 50% të detyrimit doganor (principalit) për efekt të plotësimit të kushtit të faljes.” Pra, paraelelisht me kërkesën, ata duhet të paguajnë 50% të doganës. Më pas do të jetë një komision, i cili pas verifikimit të listës së debitorëve, duke përjashtuar ata që deklarojnë pasurinë në ILDKP, do të vendosin për zhdoganimin e mjetit. “Në rast të mosplotësimit të kushtit (pagesës jo të plotë së 50 % të principalit apo mospagesës), debitori nuk miratohet për falje dhe shuarje të borxhit”. Për pjesën tjetër, atyre që i miratohet kërkesa, dega doganore procedon me njoftimin për miratimin e kërkesës së tyre për përfitim nga falja, si dhe kryen procedurën e zhdoganimit.
Rivlerësimi i pasurive
Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe të regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive, kanë të drejtë që brenda datës 31 dhjetor 2011 të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa. Nga kjo e drejtë përfitojnë të gjithë shtetasit që zotërojnë pasuri të paluajtshme pa asnjë kufizim. Sipas udhëzimit, individi paraqet kërkesën për rivlerësim të pasurisë pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive, ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ZVRPP-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Kjo, në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive me çmimet minimale fiskale që aplikohen për vitin 2011. Aplikuesi apo përfaqësuesi i tij me prokurë paraqitet personalisht me dokument identifikimi pranë ZVRPP-së dhe depoziton në dy kopje formularin e aplikimit te punonjësi i ZVRPP-së. “Brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës për aplikim për rivlerësim të pasurisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive plotëson pikën 4 të formularit me vlerën e pasurisë sipas çmimit të kontratës së shit-blerjes, si dhe llogarit masën e tatimit me burim prej 1%. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë për të përcaktuar vlerën e regjistrimit të pasurisë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përdoret metodika e përcaktimit të çmimit minimal fiskal. “Në rast se individi do të bëjë shitjen e pasurisë pas rivlerësimit, tatimi për kalimin e së drejtës së pronësisë llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të dalë nga rivlerësimi. Në rast se kjo diferencë është negative, individi nuk paguan tatim.”

Falja e taksës së regjistrimit dhe qarkullimit rrugor

Nga kjo pikë e amnistisë fiskale përfitojnë vetëm makinat që nuk janë në qarkullim. Pra, ato që janë hedhur në varreza apo janë shitur për skrap. “Për pronarët e mjeteve që nuk janë në qarkullim, po të paçregjistruara deri në datën 31 dhjetor 2010, drejtoritë rajonale të shërbimit të transportit rrugor (DRSHTRR), kryejnë veprimet përkatëse të çregjistrimit të përhershëm të mjetit rrugor brenda datës 31.12.2011, kur pronarët e mjeteve, debitorë për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshme, të dorëzojnë: formularin e vetëdeklarimit për shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit, sipas modelit të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR)” Në udhëzim janë edhe disa pika të tjera, por deklarata e shkatërrimit të mjetit është e para dhe kryesorja. “Pas përfundimit të afatit kohor të përcaktuar në ligj, 31.12.2011, për kryerjen e veprimeve të çregjistrimit të mjeteve që nuk janë në qarkullim, DPSHTRR-ja heq nga regjistri aktiv dhe i mban në regjistrin pasiv të gjitha mjetet, të cilat nuk kanë kryer kontrollet teknike të detyrueshme në dy vitet e fundit, duke njoftuar dhe pronarët e këtyre mjeteve. Për pronarët e mjeteve që janë debitorë për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshëm, u falen pa pagesë të tilla detyrime”.

© Panorama.al

Te lidhura