
Çdo ditë, që nga hyrja në fuqi e ligjit që hoqi taksën e importit të automjeteve, në vend hyjnë 100 makina.Tregu, që për plot një vit qëndroi në ngërç, duket se tani po përjeton kulmin e importit të automjeteve, pasi qytetarët paguajnë në doganë vetëm taksën e TVSH-së, pra 20 për qind të vlerës së mjetit. Detajet i dha dje Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në një takim me Dhomën Amerikane të Tregtisë për problematikat që biznesi has në aktivitetin e tij. Heqja e taksës së automjeteve, e kthyer në një temë të bujshme, nuk ka mbetur pa u komentuar edhe në këtë takim, ku drejtori i Doganave, Flamur Gjyrmishka, sqaroi se me heqjen e taksës së importit, qytetarit i takon që të paguajë kur importon një mjet 70 për qind më pak sesa paguante para këtij ligji. “Taksa është 70 për qind më e ulët. Dje kemi nxjerrë nga sistemi të dhënat dhe kemi bërë krahasimet sa ishte vlera e zhdoganimit në gjashtëmujorin e parë, para hyrjes së ligjit në fuqi dhe e kemi zhveshur nga taksat e tjera, duke marrë vetëm 20 për- qindëshin e TVSH-së. Natyrisht, heqja e kësaj takse ul të ardhurat në doganë, por ama ka rritur ndjeshëm zhdoganimet. Fakti që zhdoganohen mbi 100 makina në ditë, do të thotë që ka interes të madh”, tha Gjyrmishka. Ndërkohë që, drejtori i TVSH-së, Akcizës dhe Origjinës në Drejtorinë e Doganave, Sajmir Laçej, shpjegoi përllogaritjen që bëhet tani me ligjin e ri dhe që u mundëson qytetarëve të paguajnë 70 për qind më pak taksë sesa më parë, me ligjin e vjetër për importin e një makine. “Llogaritja e vlerës 70 për qind më pak se nga sa ishte para hyrjes së ligjit të ri në fuqi, vjen për shkak të dy zërave që kanë qenë në ligjin e vjetër : taksa e automjeteve të përdorura dhe TVSH-ja. Për autovetura të para vitit 2004, kjo vlerë ishte më e madhe sesa vlera e TVSH-së së llogaritur për këtë autoveturë. Për autoveturat, pas 2004-s kjo vlerë ishte më e ulët. Domethënë, nëse importoje një makinë të 2009-s, paguaje (taksa) gjysmën e vlerës së TVSH-së. Tani çfarë ka ndodhur? Me ligjin e ri, duke u hequr totalisht ky lloj taksimi, paguhet vetëm TVSH-ja në bazë të vlerës së mallit”, sqaroi Laçej.
Referencat e akciza
Çmimet e referencës janë kthyer edhe një herë për diskutim në takimin e biznesit me Drejtorinë e Doganave dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh. Bizneset e pranishme u ankuan se çmimet e referencës aplikohen në masë nga doganat, dhe efekti ndihet direkt në rritjen e kostove. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjyrmishka, shpjegoi se çmimet e referencës aplikohen në 15 për qind të transaksioneve dhe mbajtja e tyre në sistem është e nevojshme për shkak të pamundësive që ekzistojnë për të verifikuar çmimin real të produkteve. Gjithsesi, ai premtoi që në Kodin e ri Doganor do të kihen parasysh që edhe tek referencat të bëhen përmirësime. Sakaq, një tjetër ndryshim pritet të ndodhë tek akcizat. Të gjitha bizneset, që paguajnë akcizë për alkoolin apo cigaret, tani do të kenë një lehtësim. Akciza do të paguhet në bazë të përqindjes së alkoolit dhe jo për totalin e pijes. Pra, nëse në një litër pije përqindja e alkoolit është 30 për qind, akciza do të zbatohet vetëm tek pjesa e alkoolit dhe jo edhe tek 70-përqindëshi tjetër, sikurse funksionon sot.
Dje në takimin me biznesin
MAKINAT
DOGANAT– Me hyrjen në fuqi të ligjit që heq taksën e importit të mjeteve të përdorura por jo TVSH-në, importohen çdo ditë 100 makina.
Referencat
Biznesi: Çmimet e referencës përdoren në masë duke rritur kostot.
Doganat: Referencat përdoren vetëm në 15 për qind të transaksioneve, por do të ketë përmirësime me Kodin e ri Doganor.
Akciza
Doganat: Në ligjin ekzistues, akciza llogaritet mbi volumin e lëngut, pavarësisht sa është përqindja e alkoolit që ka në përbërje të kësaj pijeje alkoolike. Në ligjin e ri, në përputhje edhe me standardet në fuqi në vendet e BE, akciza do të llogaritet mbi bazën e përqindjes së volumit të alkoolit.
NERTILA MAHO











