Makinat dalin nga rruga, një vdes, 9 plagosen në një ditë

Sep 8, 2011 | 11:06
Aksidenti i djeshëm në Lushnjë

Një i vdekur dhe 9 të plagosur është bilanci i dy aksidenteve që ndodhën dje në Lushnjë dhe Elbasan.Njëra prej ngjarjeve me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve, ndodhi në orën 05:00, rreth 500 metra larg rrethrrotullimit të Plugut. Sipas Policisë, viktima Osman Meçe, 59 vjeç, nga Pogradeci, ishte në vendin e parë të pasagjerit, ndërsa dy të plagosurit janë drejtuesi i mjetit, Arben Spaho dhe djali i viktimës. Mësohet se të plagosurit janë dërguar në spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore dhe pas ndihmës së parë mjekësore jeta e tyre është jashtë rrezikut. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së madhe dhe jashtë normave të lejuara me të cilën po lëvizte mjeti. Drejtuesi i makinës, që sipas policisë kishte konsumuar alkool, dyshohet të ketë humbur kontrollin, nga ku më pas është përplasur me një grumbull mbetjesh inerte, duke përfunduar në një kanal që ndodhej në krah të rrugës nacionale. Automjeti i aksidentuar, tip “Benz” me targë TR 9453, është dëmtuar tërësisht, ndërsa 59-vjeçari ka mbetur i vdekur në vend. Ndërkaq, shtatë persona mbetën të plagosur rëndë po dje, rreth orës 17:00 në aksin rrugor Zavalinë–Gjinar, rreth 20 kilometra larg Elbasanit. Makina fuoristradë me targa EL 3405 B, me drejtues shtetasin Engjëllush Peçi, 25 vjeç, ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë. Të paktën pesë prej tyre, sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, kanë marrë plagë të rënda dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ndërsa dy të tjerë pësuan plagë më të lehta. Policia bëri të ditur se të aksidentuarit janë shtetasit Engjëllush Peçi, drejtuesi i mjetit, nëna e tij, Qamile Peçi, 50 vjeçe, si edhe pesë shtetasit e tjerë Kudret Komini, 45 vjeç, Dallëndyshe Komini, 45 vjeçe, Marinela Komini, 30 vjeçe, Profete Komini, 48 vjeçe dhe E. Komini 15 vjeç, që të gjithë banues në fshatin Kabash, komuna Poroçan, Gramsh. Mësohet se veç drejtuesit të mjetit dhe nënës së tij, të plagosurit e tjerë ishin anëtarë të një familjeje. Ata kishin qenë në zonën turistike të Zavalinës dhe po ktheheshin në shtëpi kur ndodhi aksidenti. Policia po punon për zbardhjen e shkaqeve që çuan në përmbysjen e makinës me 7 vetë në bord.                       m.r/ m.s

Të dhëna

Viktima
Osman Meçe,
59 vjeç

Të plagosur
Engjëllush Peçi,
25 vjeç
Qamile Peçi,
50 vjeçe
Kudret Komini,
45 vjeç
Dallëndyshe Komini, 45 vjeçe
Marinela Komini,
30 vjeçe
Profete Komini,
48 vjeçe
E. Komini,
15 vjeç

© Panorama.al

Te lidhura