Makina rrëshqet në kanal, humbin jetën bashkëshortët

Jan 26, 2012 | 12:04
Makina e aksidentit në rrugën Dukat-Vlorë

Rruga me lagështirë shkakton vdekjen e dy personave në aksidentin tragjik të ndodhur mëngjesin e djeshëm në aksin Dukat-Vlorë. Makina ku udhëtonin viktimat Mino dhe Sulo Liko, burrë e grua, doli nga rruga dhe goditjet pas rrëzimit në kanal i kanë shkaktuar plagë të rënda dhe shoferit. Mësohet se drejtuesi i automjetit, Azis Gjoni, bashkë me bashkëshortët, ishte nisur drejt qytetit të Vlorës nga fshati Dukat. Por humbja e kontrollit të shoferit të automjetit tip “Opel Corsa” me targë VL 6408 C ka bërë që makina të dalë nga rruga dhe pasi është përplasur me disa betone anës rrugës ka përfunduar në kanalin e thellë anësor. Pjesa e djathtë e makinës është shtypur plotësisht. Si pasojë e këtij aksidenti të rëndë ka gjetur vdekjen e menjëhershme në vend Mino Liko, 70 vjeçe, ndërsa bashkëshorti i saj, Sulo Liko, 75 vjeç, së bashku me drejtuesin e automjetit Aziz Gjoni, 68 vjeç, janë transportuar menjëherë për në spitalin rajonal të Vlorës, ku është dhënë dhe ndihma mjekësore. Sipas bluzave të bardha, Sulo Liko ka ndërruar jetë në spital pas pak orësh si pasojë e plagëve të marra, ndërsa drejtuesi i automjetit është jashtë rrezikut për jetën. Specialistë të Policisë Rrugore thanë se, aksidenti ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe rrugës me lagështirë nga reshjet e shiut. Pritet që një ekspertizë më e detajuar të kryhet për të përcaktuar saktësisht shkaqet e aksidentit të dyfishtë.
Mbrëmjen e së martës, një tjetër aksident ndodhi në mes të qytetit të Vlorës, në rrugën e re, ku u përfshinë shtatë makina. Mjeti “Benz” me targë AA 776 BF, i cili drejtohej nga një fierak, ka përplasur gjashtë automjete të tjera, të cilat kanë qenë të parkuara, duke i dëmtuar ato krejtësisht. Në momentin e përplasjes, në një makinë tip “Renault” me targë VL 8454 C kanë qenë tre persona brenda, të cilët kanë pësuar goditje të rënda dhe menjëherë janë dërguar për në spitalin rajonal të Vlorës në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas burimeve nga Policia, shkak i këtij aksidenti ku u përfshinë dhe tre furgonë të linjës Vlorë-Tiranë dhe një tjetër automjet “Fiat”, ka qenë drejtimi i fuoristradës në gjendje të dehur.

VLORE/ QEMAL BIRAKU


© Panorama.al

Te lidhura