Majko: Kemi të gjitha procesverbalet, KQZ të shpallë sa më shpejt rezultatin

May 16, 2011 | 10:25

Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, i kërkoi dje KQZ-së të shpallë sa më shpejt rezultatin përfundimtar për garën në Tiranë. “Shpresoj dhe besoj se po flas edhe në emër të të gjithë qytetarëve që nuk na votuan, për t’i bërë thirrje KQZ që në një periudhë sa më të shpejtë të mbyllë dhe të deklarojë rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës dhe për të gjithë Shqipërinë”, tha Majko. Ai tregoi edhe procesverbalin e fundit ku Rama fitoi me 66 vota para, duke shtuar se i jep fitoren Edi Ramës. “Dëshiroj që sot t’i drejtohem të gjithë publikut shqiptar që të kam këtu për t’i treguar procesverbalin e fundit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Procesverbali me ngjyrë të verdhë për kutinë me Nr. 1854/1 e firmosur me shumë respekt jo vetëm nga përfaqësuesit e PS, por mbi të gjitha edhe nga përfaqësuesit e PD. E përsëris është procesverbali i fundit, i cili i jep fitoren Edi Ramës për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, tha Majko. Deputeti i PS-së tha më tej se qytetarët presin rezultatin ligjor. “Këto dokumente flasin qartë, unë këtu kam në dorën e  majtë të gjithë statistikat që flasin qartazi, të gjitha tabelat përmbledhëse, të cilat shpresojnë se KQZ në respekt të ligjit do të marrë një vendim sa më të shpejtë. Koha nuk pret, besoj se si të majtët, ashtu dhe të djathtët, jemi të lodhur për disa arsye të cilat nuk janë të reja, por mendoj se ka ardhur koha t’i jepet fund lodrave të fjalëve. Tanimë fjalën e ka ligji dhe dokumentet e firmosura si nga komisionerët dhe numëruesit e së majtës, ashtu edhe nga ata të së djathtës”, deklaroi Majko.

Mbështetësit

Shpallja edhe një herë si fitues i kandidatit të PS-së, Edi Rama, në Tiranë nga deputeti i PS-së Pandeli Majko, u prit në ovacione të shumta në sallën e konferencave për shtyp në selinë rozë, nga mbështetës të shumtë të së majtës që ndodhen prej ditësh në këtë seli.

© Panorama.al

Te lidhura