Kreu i PS-së, Edi Rama, i ka kërkuar Grupit Parlamentar të përjashtojë deputetin Kastriot Islami, një prej themeluesve të PS dhe kryetari i parë i Kuvendit pluralist më 1991-shin. Propozimi i Ramës u bë dje në mbledhjen e Kryesisë së re të PS-së, ku u shqyrtuan mungesat e tre deputetëve socialistë, Pandeli Majko, Kastriot Islami dhe Rudina Seseri në votimin e kreut të KLSH, Bujar Leskaj, në Parlament. Në mbledhjen e parë të Kryesisë së re socialiste Rama ka tërhequr vëmendjen dhe ka kërkuar që të bëhet një vlerësim për mungesat e vëna re në mbledhjen e Grupit. Sipas Ramës, nga tre emrat që munguan, Majko, Seseri dhe Islami, vetëm Islami ka qenë i pajustifikuar. Duke shprehur vendimmarrjen e mbledhjes së shkuar të Grupit Parlamentar socialist, Rama mësohet të ketë thënë se këto raste nuk duhen toleruar, por duhet zbatuar Statuti. Rama ka këmbëngulur në kompetencat e Grupit Parlamentar për të diskutuar dhe vendosur për këtë thyerje të vendimmarrjes. Deputetët socialistë Arben Malaj dhe Ben Blushi i kanë kërkuar kreut socialist që para debatimit në Grup, Islami të takohet me kreun e Grupit, Ruçi, dhe të tregojë aty shkaqet që e detyruan atë që të mos ishte në momentin e votimit. Kreu socialist ka kërkuar që Majko, i cili mungoi në momentin e votimit, të shpjegojë arsyet e largimit nga seanca parlamentare. I gjendur nën trysninë e deputetëve socialistë, Majko i ka treguar Kryesisë se arsyeja e largimit nga seanca ishte organizmi i një videokonference në një nga ambasadat e huaja në Tiranë lidhur me kandidimin e tij për një post të lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kjo arsye e Majkos e ka çtensionuar situatën në mbledhjen e Kryesisë, ndërsa anëtarët e saj i kanë uruar Majkos suksese. Gjithashtu, Rama i ka njohur anëtarët e Kryesisë me letrën që deputetja Rudina Seseri i ka dërguar atij me anën e së cilës e lajmëronte se linte mandatin e deputetit.
DEBATI
Reaksioni ndaj mungesës së Islamit dhe Majkos në seancën e së enjtes, kur votohej kandidati i maxhorancës për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, ishte krijuar menjëherë pas sakrificave që disa deputetë kishin bërë për të zbatuar vendimin politik të Grupit. Mësohet se një nga deputetët socialistë kishte lënë një nga familjarët e tij në spital në Itali dhe ishte kthyer në Tiranë për të qenë prezent në seancën e së enjtes. Gjithashtu, edhe një tjetër deputet i operuar në shtyllën kurrizore kishte ardhur në sallën e Kuvendit për të bashkuar votën me Grupin Parlamentar socialist. Largimi i Majkos dhe Islamit duket se ka krijuar reaksion dhe qëndrime të ashpra nga shumica e deputetëve që kanë kërkuar të jepen sqarime për sjelljen e dy deputetëve të Grupit të tyre Parlamentar. Socialistët kishin parashikuar se nëse i gjithë Grupi i tyre do të ishte në sallë, pa asnjë mungesë dhe me ta do të bashkohej dhe vota e Dritan Priftit dhe Vangjel Dules, kandidatura e Bujar Leskajt do të rrëzohej, duke ditur dhe tre abstenime nga Grupi Parlamentar demokrat për këtë kandidaturë. Ditën e martë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist pritet të diskutohet dhe të hidhet në votim për çregjistrim emri i deputetit socialist Kastriot Islami, pas mungesës së tij në votimin e së enjtes. Neni 36 i Statutit të PS përcakton rastet se kur deputeti çregjistrohet nga Grupi Parlamentar.
Debati për Islamin
Edi Rama: Dje ka pasur mungesa në votim. Ka munguar Pandi, Islami dhe Rudina. Pandi do ta sqarojë vetë mungesën. Rudina më ka kërkuar lënien e mandatit për shkak se ka angazhime në SHBA dhe s’mund të ndjekë punët e Parlamentit. Por kjo është çështje me të cilën duhet të merret Grupi Parlamentar. E kishim thënë se votimi i djeshëm ishte një vendim politik i Grupit dhe kisha kërkuar që të gjithë deputetët të ishin në sallë dhe të merrnin pjesë në votim.
Arben Malaj: Unë mendoj se zoti Islami të takohet me kryetarin e Grupit, zotin Ruçi.
Edi Rama: Nuk dua ta zgjasim më këtë çështje, meqë
është kompetencë e Grupit, le të jetë pjesë e vendimmarrjes së Grupit.
Ben Blushi: Le ta konsiderojmë ditën zero për këto thyerje të vendimeve politike. Mendoj se Islami duhet të flasë me kryetarin e Grupit sepse kjo është çështje e Grupit.
Edi Rama: E kemi vendosur në mbledhjen e fundit që të lëmë pas çfarë është bërë deri tani në Kuvendi dhe thamë që tani e tutje të zbatohet Statuti.
Islami: U interesova te drejtuesit e Grupit të PS, nuk ka vendim zyrtar
Deputeti socialist, Kastriot Islami, në një reagim të tij të parë pas njoftimeve se do të jetë Grupi Parlamentar që do të merret me qëndrimin e tij në Parlament, u shpreh se nuk është njohur me një propozim për përjashtim të tij nga Grupi Parlamentar. “Nga shumë gazetarë dhe nga faqe të medias pranë Ramës jam bërë me dije për ‘propozimin e Ramës për përjashtimin tim nga grupi i PS’. Jam interesuar te një nga drejtuesit e Grupit Kuvendor të PS dhe më ‘rezulton se nuk ka asnjë vendim zyrtar për këtë çështje’. Kjo është arsyeja që nuk mund të kem asnjë qëndrim lidhur me këtë çështje”, u shpreh Islami. Deputeti socialist, në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, nuk u propozua as për në Kryesinë e re dhe as për në Sekretariat. Ish-sekretari për Çështjet Zgjedhore, Islami, ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj kreut të PS dhe vendimeve të tij si për bojkotin e Parlamentit të deputetëve socialistë, ashtu dhe për përgjegjësitë e humbjes së zgjedhjeve të 2009-s dhe 2011-s. Vetëm një ditë më parë, Islami, në adresën e tij në rrjetin social “Facebook”, ka shprehur qëndrimin e tij ndaj vendimit të fundit të Grupit Parlamentar për Bujar Leskajn si kreu i KLSH-së. “Përveç votimit kundër dhe pro, ka shumë mënyra të tjera alternative për të pasur një qëndrim inteligjent e institucional lidhur me emërimet e anëtarit të bordit të BSH, të kryetarit të KLSH, të Avokatit të Popullit, në mënyrë që PS të rezultonte një forcë politike që respekton shtetin ligjor, garantuese e zbatimit të Kushtetutës dhe forcimit të institucioneve dhe ngjall besimin e publikut për procesin e përzgjedhjes dhe të emërimit në institucionet publike”, shprehej dje Islami në Facebook.
Majko drejt OKB si ndihmës i Ban Ki Munit
Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, pritet të jetë ndihmës i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Është hera e parë që Shqipëria do të përfaqësohet në një nivel kaq të lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Vendimi do të merret në janar nga vetë sekretari i Përgjithshëm për të emëruar ndihmësin e tij për vendet e Europës dhe vendet e ish- Bashkimit Sovjetik dhe Kaukazit. Propozimi ka ardhur nga një ambasadë e huaj në Tiranë dhe i është dërguar selisë qendrore të OKB-së, ndërsa ditën e enjte Majko është larguar nga salla e Kuvendit, ku bëhej votimi për të marrë pjesë në një video-konferencë me selinë qendrore të OKB-së rreth këtij propozimi. Është hera e parë që propozimi nuk është bërë nga asnjë institucion shqiptar. Majko dje ka marrë përgëzime dhe nga kreu i PS dhe kolegët e tij në Kryesinë socialiste. “Nëse Pandi do të emërohet në këtë post, do të jetë një nder shumë i madh për vendin, por dhe për Partinë Socialiste”, mësohet të jetë shprehur Rama. Vetë Majko, në një sqarim për mediat dje në mbrëmje, sqaroi propozimin që atij iu bë për postin e lartë në OKB. “Unë jam vënë në dijeni që emri im, si shqiptar, është duke u konsideruar për një kandidaturë të mundshme pranë Kombeve të Bashkuara, në pozicionin e ndihmëssekretarit të Përgjithshëm të Europës dhe vendeve të ish- Bashkimit Sovjetik dhe Kaukazit. Për një politikan karriere si unë, pavarësisht moshës sime të re, është gjithmonë i mirëpritur rasti për të dhënë kontributin individual përtej kufijve kombëtarë. Marrja në konsideratë për të qenë pjesë e mundshme e një qeverisjeje globale do të ishte një nder për cilindo politikan karriere. E theksoj dhe njëherë se kandidimi i emrit tim është thjesht në stadin e kandidaturave jo të pakta që arrijnë pranë sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe që në fund është Shkëlqesia e tij, zoti Ban Ki Mun ai që do të përzgjedhë kandidaturën më të përshtatshme”, shprehet Majko në njoftimin e tij. Sipas Majkos, ai do të vazhdojë të jetë deputet i PS. “Unë vazhdoj të jem deputet i Partisë Socialiste dhe të jap kontributin tim gjithashtu brenda Kryesisë së Partisë Socialiste”, shprehet Majko. Duke vlerësuar rolin e OKB-së në botë, Majko kujton se kjo organizatë ka dhënë një kontribut të çmuar në rajonin tonë. “Sot Kombet e Bashkuara po marrin një rol akoma dhe më primar në menaxhimin e krizave, paqes, zhvillimit njerëzor dhe luftës kundër varfërisë në botë. Shqipëria është një vend i vogël, por që 10 vjetët e fundit ka ditur të japë kontributin e saj në paqen jo vetëm në rang rajonal, në menaxhimin e krizës se Kosovës dhe Maqedonisë, por edhe atë global me pjesëmarrjen e saj në paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara apo me punësimin e disa dhjetëra shqiptarëve, të cilët japin kontributin e tyre në gjirin e Kombeve të Bashkuara nëpër misionet e zhvillimit në botë”, shprehet Majko.
Institucionet shqiptare mbështesin ish-kryeministrin
Të gjitha institucionet shqiptare kanë dhënë mbështetjen maksimale për Pandeli Majkon në kandidimin e tij për postin e ndihmëssekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Sipas burimeve tona, si Kryeministri, ashtu dhe kryetarja e Kuvendit, por dhe Ministria e Jashtme, kanë dhënë vlerësimet maksimale me referencat e tyre për dy herë ish-kryeministrin e vendit dhe anëtarin e Kryesisë socialiste. Rasti Majko duket se është nga të paktat raste kur ngjyrat politike nuk janë parë për të përfaqësuar vendin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të cilat nuk kanë pasur ndonjëherë një shqiptar në nivele kaq të larta.
Zgjedhjet në janar
Zgjedhja e ndihmëssekretarit të Përgjithshëm për Europën dhe vendet e ish- Bashkimit Sovjetik dhe Kaukazit do të bëhet në muajin janar. Do të jetë vetë sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun, që do të bëjë përzgjedhjen e emrit që do të punojë pranë tij. Lista e kandidatëve është e gjatë, por kandidati i Shqipërisë duket se ka dhe mbështetjen e një prej ambasadave më të rëndësishme në Tiranë.
Ban Ki Mun
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ka në stafin e tij disa ndihmës, të cilët mbulojnë të gjitha kontinentet, mbi bazën e një ndarjeje që lidhet më shumë dhe me problematikat. Sekretari i Përgjithshëm ka një grup prej 42 anëtarësh nga e gjithë bora, të zgjedhur prej tij, që mbulojnë të gjitha çështjet për të cilat angazhohen Kombet e Bashkuara. Aplikimet për vendet vakante bëhen të hapura, ndërsa vendimin për plotësimin e stafit e merr vetë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.
Braçe: U betuam se do ta mbanim sekret
Anëtari i Kryesisë socialiste, Erjon Braçe, pas përhapjes së lajmit se Pandeli Majko mund të lërë mandatin nëse do të marrë detyrën e ndihmëssekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, shprehu habi për shkak të konfindencialitetit që vetë Majko kishte kërkuar për këtë lajm në mbledhjen e Kryesisë. “Po kush ua tha, kjo ishte tejet sekret?!!!!”, u shpreh Braçe në Facebook, duke vazhduar që me përhapjen e lajmit do të merret Kryesia e ardhshme. “Nejse, do kemi mbledhje kryesie prapë për të gjetur se kush e tha, sepse ne u betuam që s’do ia thoshim kujt!!!”, u shpreh Braçe.
Projektet në SHBA, Seseri dorëzon mandatin e deputetes
Rudina Seseri jep dorëheqjen nga mandati i deputetes së PS-së për shkak të përfshirjes në një projekt të madh të menaxhimit të fondeve në SHBA. Pak më shumë se dy vjet nga marrja e mandatit nga KQZ-ja, Seseri ka njoftuar ditët e fundit drejtuesit kryesorë të partisë, Edi Ramën e Gramoz Ruçin, si dhe kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, për vendimin. Në letrën që mban datën 14 dhjetor, drejtuar Ramës thuhet: “Më duhet t’ju njoftoj zyrtarisht se për arsye personale nuk do ta kem të mundur të vazhdoj detyrën e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Rishtazi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale, të cilat e bëjnë të pamundur të përmbush përgjegjësinë e detyrës së deputetit në vazhdimësi. Shkëputja ime është efektive menjëherë dhe, në përputhje me ligjet në fuqi, mandati im i kalon kandidatit vijues të listës zgjedhore së Partisë Socialiste për qarkun Durrës”. Ndërkohë, në letrën drejtuar kreut të PSsë, deputetja e qarkut të Durrësit e ka falënderuar atë për mundësinë që i krijoi për t’u përfshirë në jetën politike në Shqipëri. “Ky angazhim qe një eksperiencë unike për të kontribuuar, së cilës i jam përgjigjur me kontributin tim të gjithëkohshëm dhe të gjithanshëm. Mbi të gjitha, ju falënderoj që më rilidhët nga afër me bashkëqytetarët e mi, sidomos me popullin e Krujës, ndaj të cilit mbetem mirënjohëse dhe krenare”, thuhet në letrën e deputetes së Krujës. Në fund, deputetja socialiste garanton kreun e PS-së se do të ketë mbështetjen e saj përmes ekspertizës profesionale në sfidat e vendit. Rudina Seseri është një nga figurat e reja që u promovua nga PS-ja në zgjedhjet e 2009-s me një eksperiencë të pasur akademike dhe profesionale. Me një CV që përfshin Universitetin e Harvardit, karriera e Seserit mbart pozicione në kompani prestigjioze si “Credit Suisse”, “Fairhaven Capital” dhe “Microsoft Corporation”. Në botën e ekonomisë dhe sipërmarrjes, ajo është vlerësuar si një ndër 50 gratë më të fuqishme të SHBA, ndërsa publikimi prestigjioz “Business Journal” para dy muajsh e ka klasifikuar Seserin si pjesë të 40 individëve më të suksesshëm nën moshën 40 vjeç.
Seseri, letër Ruçit: Këshillat tuaja politike më kanë ndihmuar
Deputetja e Partisë Socialiste, Rudina Seseri, i ka dërguar një letër edhe kryetarit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, Gramoz Ruçi, ku e ka vënë në dijeni të vendimit të saj për të lënë mandatin. Në letrën drejtuar kreut të Asamblesë së socialistëve thuhet se “nëpërmjet kësaj letre më duhet t’ju njoftoj zyrtarisht se për arsye personale nuk do ta kem të mundur të vazhdoj detyrën e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Rishtazi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale, të cilat e bëjnë të pamundur të përmbush përgjegjësinë e detyrës së deputetit në vazhdimësi”. “Në planin individual, lejomëni t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e mia për konsideratën, mbështetjen dhe dashamirësinë që keni treguar në vijimësi ndaj meje. Në mënyrë të veçantë, këshillat tuaja më kanë ndihmuar në angazhimin tim politik dhe më gjerë. Në mbyllje, dëshiroj t’ju siguroj për mbështetjen time të palëkundur përmes ekspertizës sime profesionale në sfidën madhore të rimëkëmbjes së Shqipërisë”, përfundon letra e deputetes së PS-së
Letra për Ramën: Ishte eksperiencë unike
Zotit Edi Rama,
Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë Tiranë
I dashur Edi,
Nëpërmjet kësaj letre më duhet t’ju njoftoj zyrtarisht se për arsye personale nuk do ta kem të mundur të vazhdoj detyrën e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Rishtazi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale, të cilat e bëjnë të pamundur të përmbush përgjegjësinë e detyrës së deputetit në vazhdimësi. Dëshiroj t’ju shpreh falënderimet e mia për mundësinë e rrallë që më ofruat për tu përfshirë në jetën politike në Shqipëri dhe për vlerësimin që keni treguar në vazhdimësi. Ky angazhim qe një eksperiencë unike për të kontribuar, së cilës i jam përgjigjur me kontributin tim të gjithëkohshëm dhe të gjithanshëm. Mbi të gjitha, ju falënderoj që më rilidhët nga afër me bashkëqytetarët e mi, sidomos me popullin e Krujës, ndaj të cilit mbetem mirënjohëse dhe krenare. Lejomëni, gjithashtu, t’ju siguroj për mbështetjen time të palëkundur përmes ekspertizës sime profesionale në sfidën madhore të rimëkëmbjes së Shqipërisë.
Me respekt,
Rudina Seseri
LETRA E PLOTË PËR TOPALLIN
Jozefina Topalli (Çoba),
Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë
E nderuara znj. Topalli (Çoba),
Nëpërmjet kësaj letre më duhet t’ju njoftoj zyrtarisht se
për arsye personale nuk do ta kem të mundur të vazhdoj
detyrën e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Rishtazi
kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale,
të cilat e bëjnë të pamundur të përmbush
përgjegjësinë e detyrës së deputetit në vazhdimësi. Shkëputja
ime është efektive menjëherë dhe, në përputhje
me ligjet në fuqi, mandati im i kalon kandidatit vijues të
listës zgjedhore së Partisë Socialiste për qarkun Durrës.
Ju uroj gjithë të mirat.
Rudina I. Seseri
Letra origjinale me të njëjtën përmbajtje ju është
dërguar me postë.
Konomi zëvendëson Seserin
Një bankier do të zërë vendin e lënë bosh nga Rudina Seseri në Parlament. Sipas listës që Partia Socialiste ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se Edison Konomi, me profesion ekonomist, do të jetë deputeti më i ri i kësaj force politike. Konomi, në fakt, ishte renditur i shtati në listën e qarkut të Durrësit dhe në këtë zonë PS-ja fitoi pesë deputetë. Por ai ka përfituar për shkak se i gjashti, Gjon Bardhi, u kandidua dhe fitoi në zgjedhjet lokale të 8 majit si kryetar i Bashkisë së Fushë-Krujës. Edison Konomi ka mbajtur për pak kohë edhe postin e kryetarit të Partisë Socialiste të qytetit të Durrësit.
Aristir Lumezi/Adi Shkembi
© Panorama.al











