Majk Tajson, nga kampion bote në një “palaco cirku”

Nov 21, 2011 | 11:04

Majk Tajson duket se i ka harruar të gjitha leksionet e profesorit të tij, Cus D’Amato, i cili e mori nga rrugët dhe e mësoi të shkruante e të sillej siç duhej, në radhë të pare, më pas i mësoi sekretet e boksit, sportit ku ky njeri u bë një nga kampionët më të mëdhenj të peshave të rënda. 45-vjeçari, i cili ka fituar rreth 300 milionë dollarë nga karriera e tij sportive në boks, po vazhdon t’i humbasë të gjitha, duke filluar që nga dinjiteti. Tashmë Tajson e fiton bukën e gojës si një “palaço cirku” në një kazino të Las Vegasit, që e prezanton si të ishte “gruaja me mjekër”. “Autografe dhe foto me Majk Tajson”, – lexohet në një kartë për turistët. Orari ku mund të takohet ish-kampioni është 14.00-19.00. Autografi kushton 450 dollarë, ndërsa fotografia me të 150 dollarë. Tajson është divorcuar tri herë dhe ka bërë burg 3 vite e 8 muaj, pasi u akuzua për përdhunimin e Mis Amerikës në vitin 1991. Pasi la boksin, më 11 qershor 1995, Tajson u përball me arrestime të tjera për shkak të dhunimit të paparacëve dhe zotërimit e konsumimit të drogës. Tashmë e shikon veten në bjerrje të vazhdueshme, financiare dhe profesionale, teksa nga kampion bote në boks, për peshat e rënda, ka përfunduar në një “palaco cirku”. Për të fituar ca para, për bukën e gojës.

© Panorama.al

Te lidhura